Menu

Italia ofron punë për mbi 82 mijë krah pune

Qeveria Meloni kapërcen në numër qeverinë Draghi, në mundësitë që jep për të punësuar në sistemin italian punonjës sezonalë nga vende ekstrakomunitare.

Qeveria Meloni ka aprovuar draftinligjin mbi fluksin e punonjësve që mund të mbërrijnë nga vendet jo anëtare të BE, mes të cilave dhe Shqipëria me një kuotë prej 82 705 të punësuar të rinj.

Qeveria Draghi një vit më parë mundësoi punësimin e rreth 69 mijë punonjë sezonalë mes të cilëve dhe shqiptarë e ekzekutivi i ri italian ofron një kuotë më të lartë në numër në sektorë të ndryshëm të ekonomisë në ndihmë të sipërmarrjeve e familjeve që kanë nevojë për punëtorë e janë në vështirësi për të çuar para prodhimin e kompanive të tyre.

Për nënsekretarin e Këshillit të Ministrave, Alfredo Mantovano, është rritur jo vetëm kuota me 13 mijë punonjës më shumë se një vit më parë, por dhe larmishmëria e sektorëve ekonomikë ku ata do të punësohen.

Sektori i bujqësisë dhe i turizmit do të kenë fetën më të madhe të kësaj kuote me rreth 44 mijë të punësuar.

Prioritet do të kenë vendet me të cilat Italia ka nënshkruar marrëveshje të tilla bashkëpunimi si Shqipëria, Bangladeshi, Tunizia, Nigeria, Peruja, Ukraina etj.

Rreth 30.105 do të punësohen në sektorin e autotransportit, ndërtimit, në kantiera detare e të tjerë në fusha si në asistencë shtëpiake, në prodhimin ushqimore, blegtorale etj.

Ky draftligj do të japë mundësi dhe për të konvertuar lejen e qëndrimit të mjaft emigrantëve që ndodhen në Itali për motive të tjera jo punësimi.

Draftligji do të hyjë në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare e do të publikohen data kur do të nisë aplikimi i tyre përmes sistemit online të Ministrisë së Brendshme Italiane.

Risia që sjell ky dekret ka të bëj me faktin se para se të kërkojnë të punësuar nga jashtë pronarët e kompanive duhet të verifikojnë në territorin ku operon biznesi i tyre, nëse ka apo jo mundësi punësimi për emigrantë e punonjës, banues në atë zonë. Ndërkohë nuk mungojnë dhe debatet mbi këtë normativë të re, pasi Shoqata përfaqësuese e sipërmarrëve të bujqësisë konstaton se kërkesat e tyre për mungesë krahë pune është mbi 100 mijë punëtorë e një kuotë e tillë nuk përmbush zgjidhjen e problemeve që ka sot ekonomia italiane.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts