Menu

Kurti konfirmon takimin me Vuçiçin në mes të qershorit, “Jo” Asosiacionit serb

Takimi me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç do të mbahet në mes të qershorit, është shprehur kështu kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditën e sotme.

“Nuk kam presion. Ka diskutime të vazhdueshme. Dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë, por palë në bisedime. Me programin tonë dhe me ndërgjegjen dhe përgjegjësinë që kemi treguar, do ta përfaqësojmë Kosovën”, tha Kurti. Pas deklaratave i pyetur nga gazetarët për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti tha se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë.

Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion një-etnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, tha Kurti.

Në marrëveshjen e vitit 2013, të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është paraparë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

alert.al/

Related Posts