Menu

Turizëm

Xhemani Baba: Agroturizmi aktivizon ekonominë rurale, zinxhiri nis nga komuniteti

Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, këtë të premte u trajtua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, ku e ftuar në studio ishte Flora Xhemani Baba, gazetare dhe eksperte turizmi.

Duke folur për potencialin e turizmit rural, ajo theksoi se zhvillimi i agroturizmit nis shpesh nga iniciativa të vogla individuale, të lidhura me operatorë turistikë që sjellin vizitorë në zona të caktuara.

Sipas saj, një biznes i vogël mund të fillojë duke bashkëpunuar me një agjenci turistike, duke ofruar shërbime bazë si një vakt tradicional në shtëpi, për t’u zgjeruar më pas në një aktivitet më të strukturuar agroturizmi.

“Një familje hap dyert e shtëpisë, nis me një drekë tradicionale dhe më pas e kthen në një biznes turistik që rritet gradualisht,” u shpreh ajo.

Xhemani Baba theksoi se ky model sjell rigjallërim ekonomik në zonat rurale, duke aktivizuar zinxhirin lokal të prodhimit dhe shitjes.

Sipas saj, produkte si perimet, frutat, rakia dhe ushqimet tradicionale fillojnë të shiten më shumë, duke krijuar të ardhura për komunitetin.

Ekspertja nënvizoi se agroturizmi është një nga mënyrat më efektive për të zhvilluar ekonominë lokale dhe për të frenuar braktisjen e zonave rurale.

 

Topuzi: Pa ulje të TVSH-së dhe standarde, turizmi mbetet pas rajonit

Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, këtë të premte u trajtua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, ku i ftuar në studio ishte Zak Topuzi, Kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.

Duke folur për konkurrueshmërinë e sektorit, Topuzi theksoi se Shqipëria ka mbetur pas vendeve të rajonit në zbatimin e politikave mbështetëse për turizmin.

Sipas tij, turizmi përbën rreth 43.6% të eksporteve, por vendi nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm me rajonin në lehtësimin e barrës fiskale për bizneset.

“Sot i gjithë rajoni ka ulur TVSH-në për restorantet për të mbështetur turizmin. Edhe Greqia, pavarësisht borxhit të lartë, e ka përgjysmuar për të qenë konkurruese,” u shpreh ai.

Topuzi nënvizoi se për të qenë konkurrues, Shqipëria duhet të ndjekë politika të ngjashme me vendet fqinje dhe jo të reagojë me vonesë.

Ai theksoi gjithashtu se një tjetër problem mbetet zbatimi i standardeve dhe promovimi i produkteve vendase në turizëm.

Sipas tij, përdorimi i produkteve lokale dhe përmbushja e kritereve të caktuara sjellin përfitime në vlerësimin e strukturave turistike.

“Nëse përdor produkte vendase dhe plotëson standardet, përfiton pikë shtesë në klasifikim. Janë rregulla që ekzistojnë, por kanë mbetur pa u zbatuar,” tha Topuzi.

Ai përfundoi se mungesa e zbatimit të politikave dhe standardeve po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë dhe konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar.

 

Topuzi: Kriza në Lindjen e Mesme riorienton turizmin drejt Europës, Vlora nyje strategjike

Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u diskutua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, ku i ftuar ishte Zak Topuzi, Kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.

Topuzi theksoi se konfliktet në Lindjen e Mesme pritet të sjellin një riorientim të flukseve turistike në nivel global, duke favorizuar destinacionet europiane.

“Çdo krizë krijon zhvendosje. Turistët do të orientohen drejt Europës dhe Afrikës,” u shpreh ai.

Sipas tij, rajoni i Lindjes së Mesme përbën një treg prej rreth 100 milionë turistësh, ndërsa për shkak të situatës aktuale pritet një rënie e fluksit nga 27% deri në 38%.

Topuzi nënvizoi se edhe në rast të përfundimit të shpejtë të konfliktit, rikthimi i besimit, veçanërisht për turizmin elitar, kërkon kohë.

“Besimi nuk rikthehet menjëherë. Turizmi elitar është shumë i ndjeshëm ndaj sigurisë dhe mund të zhvendoset për një periudhë të gjatë,” theksoi ai.

Sipas tij, një pjesë e këtyre turistëve pritet të kalojnë drejt destinacioneve alternative, duke krijuar mundësi konkrete për Shqipërinë.

Ai shtoi se nëse situata nuk përshkallëzohet më tej, pritet një rritje e lëvizjeve ajrore dhe turistike me rreth 7-8% krahasuar me një vit më parë.

Topuzi veçoi si element kyç zhvillimin e infrastrukturës ajrore, duke theksuar rëndësinë e aeroportit të Vlorës për të ndryshuar qasjen ndaj turizmit në vend.

“Aeroporti i Vlorës do ta vendosë Shqipërinë në një tjetër nivel, pasi turistët nuk janë të prirur të përshkojnë disa orë rrugë nga Rinasi drejt jugut,” u shpreh ai.

Sipas tij, ky investim do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e aksesit dhe në konsolidimin e Shqipërisë si destinacion turistik në rajon.

 

Xhemani Baba: Rajoni subvencionon turizmin, Shqipëria pa politika nxitëse

 

Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, këtë të premte u trajtua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, ku e ftuar në studio ishte Flora Xhemani Baba, gazetare dhe eksperte turizmi.

Duke folur për sfidat e sektorit, ajo theksoi se vendet e rajonit aplikojnë politika nxitëse për turizmin, ndryshe nga Shqipëria.

Sipas saj, në vende si Greqia apo Mali i Zi, shteti mbështet qytetarët që të konsumojnë brenda vendit, përmes skemave subvencionuese që u kthejnë një pjesë të shpenzimeve turistike.

“Nëse një qytetar shpenzon, për shembull, 500 euro për pushime në vendin e tij, një pjesë e këtyre parave i kthehet mbrapsht nga shteti si stimul,” u shpreh ajo.

Xhemani Baba theksoi se në Shqipëri mungojnë këto politika, ndërsa barra e kostove u lihet kryesisht bizneseve.

Xhemani Baba: Turizmi i brendshëm mbetet jashtë statistikave zyrtare

Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, këtë të premte u trajtua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, ku e ftuar në studio ishte Flora Xhemani Baba, gazetare dhe eksperte turizmi.

Duke folur për problematikat që has turizmi në Shqipëri në prag të sezonit, ajo theksoi se nuk mbështetet plotësisht te statistikat zyrtare, pasi sipas saj ato nuk arrijnë të pasqyrojnë të gjithë lëvizjen reale të turizmit të brendshëm.

Xhemani Baba u shpreh se në Tiranë ka rreth 1.2 milionë banorë informalë, një pjesë e të cilëve lëvizin çdo fundjavë drejt destinacioneve të ndryshme turistike brenda vendit, për një ose dy ditë pushim.

Sipas saj, këta qytetarë udhëtojnë drejt zonave si Valbona, Vlora dhe destinacione të tjera, ku konsumojnë dhe shpenzojnë para, duke gjeneruar të ardhura për ekonominë lokale, por pa u reflektuar në shifrat zyrtare.

Ekspertja theksoi se kjo tregon nevojën për një qasje më të saktë në matjen e turizmit të brendshëm, në mënyrë që të kuptohet më mirë pesha reale që ai ka në ekonominë e vendit.

 

 

Topuzi: Standardet e BE kërkojnë investime të mëdha, proces i vështirë për turizmin

Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, këtë të premte u trajtua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, ku i ftuar në studio ishte Zak Topuzi, Kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.

Duke folur për sfidat e sektorit në prag të sezonit turistik, Topuzi theksoi se përmbushja e standardeve të Bashkimit Europian është një proces kompleks dhe i vështirë për Shqipërinë.

Sipas tij, vendi ka një afat deri në vitin 2027 për të plotësuar kriteret e kërkuara, por këto standarde kërkojnë investime të konsiderueshme, veçanërisht në sektorin e akomodimit.

Topuzi nënvizoi se një nga kërkesat kryesore lidhet me sigurinë dhe standardet teknike, që shpesh nënkuptojnë rikonstruksion të plotë të hoteleve, duke përfshirë sistemet elektrike dhe masat kundër zjarrit.

“Një hotel i përfunduar duhet të rifillojë nga e para për të përmbushur standardet, çka është shumë e vështirë pa mbështetje financiare,” u shpreh ai.

Ai shtoi se investimet në këtë drejtim janë të larta dhe shpesh të papërballueshme për bizneset, sidomos në mungesë të subvencioneve apo skemave mbështetëse.

Sipas Topuzit, edhe pse qeveria po punon me ekspertë për këtë proces, ai pritet të jetë i gjatë dhe sfidues për të gjithë sektorin turistik.

 

Xhemani Baba: Turizmi ndërtohet mbi brandin gastronomik të vendit

Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, këtë të premte u trajtua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, ku e ftuar në studio ishte Flora Xhemani Baba, gazetare dhe eksperte turizmi.

Duke folur për zhvillimin e turizmit dhe rëndësinë e identitetit, ajo theksoi se çdo vend ndërton brandin e tij duke u mbështetur te produktet dhe veçoritë që e dallojnë nga të tjerët.

Sipas saj, shembuj të tillë janë të shumtë në Europë, ku vende si Franca kanë arritur të krijojnë një identitet të fortë turistik përmes produkteve të tyre karakteristike gastronomike, duke i kthyer ato në simbol të vendit dhe në një magnet për turistët.

Xhemani Baba nënvizoi se brandi nuk krijohet rastësisht, por ndërtohet mbi bazën e produkteve autentike dhe traditës, duke krijuar një lidhje të fortë mes turizmit dhe gastronomisë.

Ajo shtoi se Shqipëria ka potencial të madh në këtë drejtim, por ende nuk e ka strukturuar si duhet ofertën e saj, për ta kthyer gastronominë në një element të fortë identifikues dhe konkurrues në tregun turistik.

Sipas saj, ndërtimi i një brandi të qartë dhe të qëndrueshëm është thelbësor për të rritur vlerën e turizmit dhe për të tërhequr vizitorë që kërkojnë përvoja autentike dhe cilësi.

 

Xhemani Baba: Mungojnë linjat dhe trenat, transporti pengesë për turizmin

Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, këtë të premte u trajtua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, ku e ftuar në studio ishte Flora Xhemani Baba, gazetare dhe eksperte turizmi.

Duke folur për problematikat në prag të sezonit, ajo theksoi se transporti publik mbetet një nga pikat më të dobëta të turizmit në Shqipëri.

Sipas saj, qytetet turistike si Saranda dhe Vlora nuk janë të përgatitura për të përballuar fluksin e vizitorëve.

“Bëj një PPP për transportin publik të qyteteve të mëdha, Sarandës dhe Vlorës. Nuk mund të qarkullosh 1 milion turistë me 5 autobusë të prishur që shkojnë në Ksamil. Treni i mallrave punon dhe treni i pasagjerëve nuk punon. Pse nuk vendos 3-4 linja, edhe me kushte modeste? Ka shumë njerëz që do shkonin me kënaqësi me 1 mijë lekë të vjetra në Durrës, por sot nuk ikin dot me 5 mijë lekë. Mjaftojnë 10 trena që shkon i blen dhe i vendos sot. Nuk ka pse të presim trenin elektrik, bëje me naftë, është më mirë se nafta që digjet në trafik dhe ndotjen. Janë gjëra të thjeshta dhe nuk bëhen,” u shpreh ajo.

Ekspertja theksoi se mungesa e alternativave të transportit rrit kostot për qytetarët dhe turistët, ndërsa kufizon zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

Sipas saj, ndërhyrjet në këtë drejtim janë të realizueshme dhe kërkojnë më shumë vullnet dhe organizim sesa investime të mëdha afatgjata.

Topuzi: Mungesa e akomodimit dhe organizimit, Shqipëria me të ardhura më të ulëta se rajoni

Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, këtë të premte u trajtua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, me të ftuar në studio Zak Topuzi, Kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.

Duke folur për problematikat e sektorit në prag të sezonit turistik, Topuzi u shpreh se Shqipëria mbetet kryesisht një destinacion me turizëm rajonal dhe të paorganizuar, i bazuar më shumë në iniciativa individuale sesa në struktura të mirëfillta turistike.

Sipas tij, vetëm rreth 15% e turistëve që vijnë në Shqipëri janë të lidhur me kontrata, çka tregon mungesën e paketave të organizuara dhe të standardeve që do të garantonin pushime më cilësore dhe më shumë të ardhura për vendin.

Topuzi theksoi se një nga problemet kryesore mbetet mungesa e hoteleve dhe resorteve me standard të lartë. Ai nënvizoi se vetëm rreth 1% e strukturave akomoduese në Shqipëri janë hotele apo resorte me 5 yje, ndërkohë që vende si Mali i Zi dhe Kroacia kanë 7-10% të këtij niveli.

Sipas tij, kjo diferencë ndikon drejtpërdrejt në të ardhurat, pasi turistët në Shqipëri shpesh marrin shërbime të pjesshme dhe jo paketa të plota, duke sjellë të ardhura shumë më të ulëta krahasuar me rajonin.

Topuzi solli edhe shembullin e Kosovës, e cila, ndonëse nuk ka dalje në det, gjeneron rreth 2.5 herë më shumë të ardhura për turist sesa Shqipëria.

Ai theksoi se qasja duhet të ndryshojë nga fokusimi te shifrat e vizitorëve drejt rritjes së cilësisë dhe vlerës së turizmit, pasi potenciali real i të ardhurave mund të jetë shumë më i lartë.

Sipas tij, nëse sektori organizohet dhe zhvillohet me standarde më të larta, Shqipëria mund të dyfishojë të ardhurat nga turizmi, duke kaluar nga rreth 5 miliardë euro në nivele shumë më të larta.

Xhemani Baba: Shqipëria destinacion tranzit, sfidë mbetet rritja e konsumit turistik

Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, këtë të premte u trajtua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, me të ftuar në studio Flora Xhemani Baba, gazetare dhe eksperte turizmi, si dhe Zak Topuzi, Kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.

 

Duke analizuar sfidat e sektorit në prag të sezonit turistik, Xhemani Baba theksoi se shifrat zyrtare për turizmin në Shqipëri nuk reflektojnë plotësisht realitetin në terren.

Sipas saj, ndonëse raportohen rreth 11-12 milionë vizitorë dhe të ardhura që arrijnë në 4.8 miliardë euro, një pjesë e konsiderueshme e këtyre lëvizjeve nuk përfaqësojnë turistë të mirëfilltë që konsumojnë në vend.

“Një pjesë e madhe janë tranzit, që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria pa gjeneruar konsum real, përveç shpenzimeve minimale si në aeroport apo një kafe,” u shpreh ajo.

Ekspertja nënvizoi se kjo tregon një nivel të ulët të paketës turistike në Shqipëri, madje edhe krahasuar me vende si Kosova, e cila ndonëse nuk ka det, rezulton me shpenzim më të lartë për vizitor.

Sipas Xhemani Babës, një nga problemet kryesore mbetet mungesa e statistikave të detajuara dhe analizave të sakta për të kuptuar se çfarë gjeneron realisht turizmi në ekonomi.

Ajo theksoi se, pavarësisht shifrave pozitive në dukje, sektori ka nevojë për një qasje më të thelluar analitike dhe politika më efikase për të rritur vlerën reale të turizmit në vend.