Menu

Miliona euro të paguara në çmimin e naftës, por koncesioni i markimit nuk funksionoi

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, paralajmëroi ngritjen e një sistemi të ri gjurmimi për karburantet, pasi sistemi aktual nuk ka funksionuar. Aktualisht, markimi dhe gjurmimi te nafta e hedhur në treg kryhet prej 9 vjetësh nga kompania koncesionare GFI Albania. Për këtë shërbim që rezultoi i paefektshëm në luftën kundër evazionit dhe kontrabandës së naftës, në total janë paguar nga konsumatorët në çmimin e naftës rreth 30 mln euro. Shoqata e Hidrokarbureve, që paralajmëroi mosfunksionimin e gjurmimit edhe 8 vite më parë, pohon se çmimi i naftës nga kjo taksë absurde është rënduar 1 lekë për litër. Koncesioni për markimin dhe gjurmimin e karburanteve u ka kushtuar konsumatorëve rreth 30 milionë euro, që ata kanë paguar në çmimin e naftës (shifra bazohet në të ardhurat nga tarifat të koncesionarit për periudhën 2013-2021, sipas bilancit zyrtar).

Por, kontrata e nënshkruar me afat 10-vjeçar, ku i është dhënë e drejta ekskluzive koncesionarit GFI Albania për kryerjen e shërbimit me qëllim luftimin e evazionit, rezulton se ka qenë e paefektshme, sipas pohimeve të vetë zyrtarëve të qeverisë. Barra e kësaj kontrate rrezikon të vijojë të rëndojë mbi shtetin dhe konsumatorin. Shteti shqiptar kërkon të ngrejë një sistem të ri për gjurmimin e naftës, ndërsa kompania koncesionare ka hapur procesin gjyqësor me qeverinë për markimin e naftës bruto. Ashtu siç paralajmëroi edhe 8 vite më parë Shoqata e Hidrokarbureve, sistemi i gjurmimit të karburanteve në Shqipëri, nëpërmjet kontratës koncesionare të miratuar në vitin 2011 ka dështuar.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, paralajmëroi deputetët në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave për ngritjen nga e para të një sistemi të ri gjurmimi për naftën, ndërsa tha se shteti shqiptar është në gjyq për këtë proces, pasi ai ka mbetur i pazbatuar.

“Komponenti i gjurmimit te karburantet mbetet i pazbatuar. Për këtë komponent jemi në proces gjyqësor më X kompani. Në planet e qeverisë shqiptare ishte edhe kryerja e gjurmimit të karburanteve, proces i cili nuk ka filluar. Kjo lidhet me gjyqin e shtetit shqiptar me një kompani edhe me ngritjen e një sistemi gjurmimi nga e para”.

Kompania koncesionare e markimit të karburanteve Global Fluid International Albania (GFI Albania) ka hedhur në gjyq vendimin e Këshillit të Ministrave për gjurmimin e karburanteve. Administratori i GFI Albania z. Ergys Sela  tha se nuk është në dijeni të deklaratave të ministres së MFE Delina Ibrahimaj për mosfunksionimin e sistemit të gjurmimit të naftës. Ndërsa i pyetur për arsyet e nisjes së procesit gjyqësor ndaj shtetit shqiptar, z. Sela nuk pranoi të komentonte.

Për këtë kontratë koncesionare, që kishte si qëllim markimin dhe gjurmimin e karburanteve, i cili rezulton i paefektshëm, të ardhurat e kompanisë për periudhën 2013-2021 ishin 3.4 miliardë lekë (rreth 30 mln euro). Tarifa e koncesionit është paguar nga konsumatori, pasi ka rritur çdo vit çmimin e naftës 1 lekë për litër.

Kontrata u miratua nga qeveria e mëparshme në vitin 2011, me një ofertë të pakërkuar nga kompania ndërkombëtare Global Fluid International, me justifikimin se GFI ishte e specializuar në prodhimin e kimikateve dhe ka filluar të zbatohet në vitin 2013. Qëllimi i koncesionit ishte të garantonte cilësinë e produktit (mospërzierjen e tij) dhe mosndërrimin e destinacionit të karburantit (p.sh., që nafta e cila përdoret për peshkimin të mos hidhej në treg). Kontrata koncesionare për markimin e karburanteve me kompaninë GFI Albania do të mbyllet në gusht të vitit 2023. Sipas përcaktimeve të afatit në kontratë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ngriti një grup pune me ekspertë të saj dhe Doganave të Përgjithshme për zbatimin e procedurave të mbylljes së koncesionit.

Por kompania koncesionare GFI Albania ka bllokuar procesin e grupit të punës për mbylljen e koncesionit, me pretendimin se ende nuk është realizuar një element i kontratës, ai i markimit të naftës bruto. Ky është rasti i dytë në Shqipëri, pas atij të koncesionit të pullave fiskale që pretendimet e kompanive koncesionare, po nxisin debate për afatet e përfundimit të kontratave, ndërsa tarifat e larta apo absurde të këtyre shërbimeve i paguan konsumatori. Burime nga grupi i punës pohuan për “Monitor” se nuk janë lejuar të zhvillohen procedurat e mbylljes së koncesionit, pasi janë ndeshur me pretendimet e kompanisë për moszbatimin e një komponenti të saj, atë të markimit të naftës bruto.

Qëllimi i grupit të punës ishte përgatitja e inventarit për pajisjet e instaluara nga subjekti dhe përcaktimi se cila prej tyre do të kalonin në pronësi të shtetit. Burime nga grupi i punës shtuan se nga MFE nuk u janë komunikuar ndryshime në afatin e përfundimit të kontratës. E gjitha kjo, sipas ekspertëve, tingëllon absurde, kur nafta bruto e destinuar për rafinim, ose për eksport ku depozitohet në zona të lira doganore, nuk markohet në asnjë vend të botës, ndërsa për cilësinë e naftës bruto të prodhuar në Shqipëri, koncesionari ka tentuar ta zbatojë, por teknikisht, procesi ka rezultuar i pasuksesshëm.

Mosmarkimi i naftës bruto ndezi debate edhe në fillimet e zbatimit të kontratës koncesionare, ku grupet e interesit paralajmëruan që teknikisht procesi është i pamundur të realizohet.

Markimi nuk funksionoi, nafta nuk gjurmohet

Nafta që hidhet në treg nuk markohet në asnjë shtet të Europës, me përjashtim të disa shteteve në Afrikë. Në Shqipëri, është përcaktuar me kontratë koncesionare të kryhet ky shërbim, por që teknikisht edhe pas 10 viteve në fuqi, shërbimi rezulton i parealizueshëm. Moskryerja e këtij procesi nuk e garanton gjurmimin e naftës dhe asnjë efekt në luftën kundër evazionit, kontrabandës apo kontrollin e cilësisë së naftës.

Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, tha se tarifa e koncesionit është një taksë shtesë absurde që i ngarkohet produktit të naftës, për një proces teknikisht të parealizueshëm nga koncesionari, pasi hedhja manualisht e markuesit në autobote, nuk garanton homogjenitetin.

Për këto arsye, Shoqata e Hidrokarbureve kërkon përfundimin e kontratës dhe mospenalizimin më tej të importuesve me këtë taksë absurde. Mosfunksionimi i skemës së markimit të naftës u paralajmërua edhe 8 vite më parë nga Shoqata e Hidrokarbureve. Luigj Aliaj thekson se problematika edhe aktualisht vijon të jetë njësoj e pranishme, ndërsa sipas tij importuesit paguajnë për markimin 6 deri në 7 milionë euro në vit.

Në një letër të posaçme për këtë çështje, Shoqata e Hidrokarbureve në vitin 2015 lajmëroi Ministrinë e Financave si palë kontraktore me koncesionarin, se po lejon GFI Albania të shkelë të gjitha të drejtat dhe të abuzojë, në mënyrë të paligjshme, mbi subjektet detyruese, pa asnjë lloj alternative kontrolli, ankimi dhe as kërkese për zbatimin e investimeve që ai detyrohet me ligj.

“Produkti që ky koncesionar përdor si markues, nuk e di askush se çfarë përmbajtje ka, nëse paraqet rrezik për njerëzit dhe automjetet. Së dyti, nga verifikimi në vend rezulton se, në mënyrën që ky koncesionar e kryen injektimin, nuk arrin që markuesi të shpërndahet në mënyrë uniforme. Pra nuk e realizon dot procesin e markimit dhe për pasojë, në çdo rast, ka dështuar me monitorimin. Pra nuk kryen monitorim, por vetëm merr tarifën nëpërmjet dhunës që i garantojnë VKM-të.

Në kontratë përcaktohet qartë specifikimi teknik për makineri dhe pajisje, se koncesionari duhet të ndërtojë për injektimin e markuesit në karburant një sistem injektimi manual, ose automatik, dhe sistemi i pompave të procesionit duhet të jetë i kompjuterizuar dhe të transmetojë në kohë reale të dhënat. Por sot e kësaj dite, investimi është zero. Nuk është ndërtuar asnjë impiant. Injektimi bëhet duke hedhur markuesin nga disa epruveta me dorë në autobot. Ndërsa përqendrimi i markuesit, sipas marrëveshjes, duhet të jetë 4 gramë për 1000 litër, hedhja me dorë e ngjyrës në autobot e bën totalisht të pamonitorueshme këtë normë.

Paradoksi tjetër është se importuesve, kompania koncesionare nuk u jep asnjë certifikatë cilësie për markuesin që hidhet në karburant dhe për më tepër, asnjë autoritet shqiptar nuk e certifikon. Për më tepër, koncesionari nuk e garanton homogjenitetin e përqendrimit të markuesit në momentin e markimit (për arsye se nuk ka ndërtuar impiantet përkatëse), por pretendon se kjo ndodh, pasi autoboti të këtë udhëtuar të paktën 10 deri 20 km. Sipas këtij kriteri absurd që aplikon koncesionari, meqenëse shumica e konsumit është e përqendruar në Tiranë-Durrës, i bie që shumica e autoboteve të mos e përshkojnë këtë distancë, çka do të thotë se monitorimi që kërkohet të bëhet në treg është vetëm një tallje dhe dhunim i subjekteve detyruese. Ligji i detyron grosistët që pas markimit në magazina duhet të mbahet një mostër nga karburanti, në mënyrë që ajo të krahasohet me pikat e pakicës. Por në kushtet në të cilat kryhet markimi, kjo nuk mund të ndodhë”, theksohej në shqetësimin e ngritur më herët nga kjo shoqatë. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts