Menu

Ndotje rekord nga çlirimi i dioksidit të karbonit gjatë 2022

Komunitetet në mbarë botën çliruan më shumë dioksid karboni gjatë vitit 2022 se çdo vit tjetër, sipas të dhënave që datojnë që nga viti 1900, thuhet në një raport të publikuar të enjten nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë.

Ndotja u shkaktua kryesisht nga shtimi i udhëtimeve ajrore pas bllokimeve nga pandemia, ndërsa shumë qytete po përdorin qymyrin si burim energjie me kosto më të ulët.

Çlirimi i gazeve që shkaktojnë ngrohjen globale, të shkaktuara nga prodhimi i energjisë u rritën me 0.9% duke arritur shkallën 36.8 gigaton në vitin 2022, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë. (Një gigaton është baras me rreth 10,000 aeroplanmbajtëse të ngarkuara plotësisht, sipas NASA-s.)

Dioksidi i karbonit çlirohet nga djegia e lëndëve fosile si nafta, qymyri apo gazi natyral për të vënë në funksionim centralet, automjetet dhe nevojat shtëpiake apo të industrisë. Kur gazet e çliruara futen në atmosferë, ato bllokojnë nxehtësinë duke kontribuar në ngrohjen e klimës.

Moti ekstrem ndikoi tek shtimi i çlirimit të dioksidit të karbonit. Thatësirat ndikuan tek ulja e prodhimit të energjisë elektrike nëpër hidrocentrale, çka rriti nevojën për përdorimin e lëndëve fosile. Valët e të nxehtit shtuan kërkesat për përdorim të energjisë elektrike.

Shkencëtarët e klimës e cilësuan raportin si tejet shqetësues, ndërsa vazhdojnë të paralajmërojnë për shkurtimin e emetimeve në mënyrë dramatike për të ngadalësuar pasojat e tmerrshme të ngrohjes globale.

“Çdo rritje e emetimeve, qoftë edhe 1%, është dështim”, tha profesori i shkencave për sistemin tokësor në Universitetin e Stanford-it Rob Jackson, njëkohësisht dhe kryetar i grupit ndërkombëtar Projekti Global për Karbonin. “Njerëzimi nuk mund ta përballojë rritjen (e emetimeve) apo ngecjen në vend. Ose duhet shkurtuar (ndotja) ose planeti do të përfshihet nga kaosi. Çdo vit që shoqërohet me emetime më të larta nga qymyri është një vit i keq për shëndetin tonë dhe për Tokën”.

Vitin e kaluar emetimi i dioksidit të karbonit nga qymyri u rrit 1.6%. Shumë komunitete, kryesisht në Azi, kaluan nga përdorimi i gazit natyror tek qymyri për të shmangur çmimet e larta të gazit natyror që u përkeqësuan nga agresioni rus në Ukrainë, tha Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë, shkurtimit IEA.

Ndërsa u rrit trafiku ajror në shkallë botërore, po ashtu u shtua edhe çlirimi i dioksidit të karbonit nga djegia e karburanteve në masën 2.5%, me rreth gjysmën e rritjes së shkaktuar nga industria e aviacionit.

Të dhënat nga IEA tregojnë se ndotja është përshpejtuar, me përjashtim të vitit 2020, kur u ndaluan udhëtimet.

Masa e ndotjes gjatë vitit të kaluar, ndonëse një nivel rekord, ishte më e ulët nga sa ishte parashikuar nga ekspertët.

Zhvillimi i energjisë së ripërtëritshme dhe përhapja e makinave elektrike ndihmuan në parandalimin e çlirimit të rreth 550 megatonëve dioksid karboni, sipas IEA.

Masat e rrepta për pandeminë dhe rritja e dobët ekonomike në Kinë po ashtu reduktuan prodhimin, duke ndihmuar në kufizimin e emetimeve në shkallë botërore. Sipas raportit, prodhimi i energjisë elektrike nga dielli dhe era në Evropë e tejkaloi për herë të parë prodhimin e energjisë nga centralet bërthamore apo ato me gaz.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë, Fatih Birol tha përmes një deklerate se, “Pa energji të pastër, rritja e ndotjes nga dioksidi i karbonit do të kishte qënë gati tre herë më e lartë”.  Associated Press

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed