Menu

Në 5 muaj, sa lopë me Brucelozë, aq dhe njerëz të infektuar nga kjo sëmundje. Harta e të prekurve konfirmon kontrabandën e kafshëve të sëmura

Nga Ida Ismalaj*

Njerëz të prekur me brucelozë, Antraks (Plasje), Leptospirozë, por edhe Rikecie. Këto janë të dhënat e ofruara nga Instituti i Shëndetit Publik, për vitin 2023 dhe 5-mujorin e parë të 2024, pas kërkesës së dërguar nga Qendra ALERT, në lidhje me sëmundjet zoonotike (ato që transmetohen nga kafsha te njeriu), pas publikimit të skandalieve për importin e lopëve të prekura me Brucelozë në Qarkun Korçë.

Në të njëjtën kohë, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në përgjigjen e tij ka referuar statistikat vetëm për brucelozën dhe vetëm për 5 muajt e parë të vitit 2024. Megjithatë, referuar shifrave të dy institucioneve publike, vetëm për 5 muajt e parë të 2024, kemi 14 raste me brucelozë të konfirmuara në gjedh (lopë) dhe 13 persona të prekur nga kjo sëmundje e që kanë marrë shërbimin shëndetësor.

Teksa prej një muaji diskutohet për kontrabandën e kafshëve me probleme shëndetësore nga Greqia, Bullgaria, por duke mos përjashtuar as Maqedoninë e Veriut, këtë fakt e konfirmon indirekt dhe shpërndarja gjeografike e Brucelozës, ku rastet më të shumta janë pikërisht në zonat kufitare. Sipas shifrave të ofruara nga ISHP, në vitin 2023 nga antraksi (plasja) është prekur vetëm një person në Gjirokastër, nga bruceloza 24 persona, një na Rikecie në Elbasan dhe 6 nga Leptospiroza, të gjitha këto sëmundje zoonotike.

Ndërsa për periudhën janar-maj 2024, 3 raste njerëzit të prekur janë regjistruar me plasje, 13 raste me brucelozë dhe 1 rast me Rikecie.

Numri i kafshëve të zbuluara me brucelozë, është thuajse sa numri i njerëzve të prekur në 5 muajt e parë të 2024, duke konfirmuar se kjo sëmundje zoonotike tashmë është e përhapur.

Sipas të dhenave të AKVMB për 5-mujorin e parë të këtij viti, “gjatë zhvillimit të fazës së parë të gjurmimit të brucelozës në gjedh për vitin 2024 u gjurmuan dhe u testua qumështi nga një total prej 38,418 krerësh në 2,357 ferma. Nga testimi i qumështit rezultuan pozitive në total në rang republike 617 krerë nga 32 ferma”. Por, rastet e dyshuara janë konfirmuar më pas dhe nëpërmjet analizës së gjakut. “Këto kafshë u testuan individualisht, me anë të analizimit të gjakut dhe prej tyre rezultuan pozitive në total 14 krerë nga 3 ferma. Kafshët pozitive u eliminuan sipas procedura te përshkruara ne programin e kontrollit”, thotë AKVMB në përgjigjen e saj për Qendrën ALERT.

Referuar të dhënave të ISHP, raste në njerëz me sëmundjen e brucelozës ka në shumë qytete, por numrin më të madh të të prekurve për 2023 dhe janar-maj 2024 e zënë zonat kufitare, duke konfirmuar indirekt dhe kontrabancën e kafshëve kontrabandë të pakontrolluara e mbase dhe të sëmura me brucelozë.

Sipas ISHP, siç i shikoni dhe në tabelën e mëposhtme për vitin 2023, Bruceloza ka prekur 2 persona në Tiranë, 3 në Dibër, 1 në Bulqizë, 1 në Fier, 5 në Gjirokastër,. 4 në Repelenë, 2 në Elbasan dhe 6 në Librazhd. Ndërsa për periudhën janar-maj 2024, kemi 1 rast në Sarandë, 1 në Kukës, 7 në Gjirokastër dhe 4 njerëz të infektuar në Dibër.

Interesant është fakti se asnjë person nuk rezulton i prekut në 17 muaj në Qarkun Korçë, ku është dhe vatra, sipas informacioneve të fundit, e importit kontrabandë të kafshëve të sëmura e të pakontrolluara. Megjithatë, kryesisht kafshët që futën aty nga kufiri me Greqinë apo edhe nga Bullgaria apo Maqedonia e Veriut, lëvizin drejt zonave tjera të Shqipërisë.

*Autorja e shkrimit është gazetare me përvojë të gjatë në gazetarinë e shkruar dhe televizive. Prej shumë vitesh, punon në televizionin News24

Related Posts