Menu

Nëna që vdiq nga medikamentet, do dobësohej për fustanin që do vishte në dasmën e së bijës. Rreziku nga ilaçet e diabetit që premtojnë mrekullinë e humbjes në peshë

Nga Edlira SULEJMANI*

Trendi më popullor gjatë viteve të fundit për konsumatorët në mbarë botën është ai i marrjes së suplementeve, medikamenteve, çajrave etj, për të rënë nga pesha në një kohë shumë të shkurtër. Por, janë disa medikamente kohët e fundit që në fakt me marketingun e tyre po bëjnë “namin” dhe pavarësisht se kanë efekte anësore, konsumatorët kanë filluar t’i injorojnë. Ozempic, Saxenda, Wegovy janë medikamentet që sot po përdoren nga njerëz të njohur publik në mbarë botën për rënien nga pesha e që reklamohen si ilaçi magjik që do të hiqni kilogramët e tëpërta. Nga Elon Musk, Robbie Williams e Kim Kardashian e kanë pranuar se i kanë përdorur. Por, studimet më të fundit në fakt të botuara në revista prestigjioze po flasin gjithnjë e më shumë për efekte anësore në shëndet.


Sa po i përdorin shqiptarët këto medikamente?
Në fakt, farmacistët nën zë thonë se ka shumë individë që pyesin a gjenden, si mund t’i disponojnë medikamentet që premtojnë rënie në peshë të menjëhershme, madje edhe pse mund të jenë në kosto të konsiderueshme.
Në Shqipëri Ozempic, sipas Agjencisë së Kontrrollit të Barnave, është i regjistruar, por sipas këtij institucioni nuk është importuar në vendin tonë, çka do të thotë se nuk mund të jetë i pranishëm nga momenti në moment dhe rreziku mund të jetë shumë pranë nëse marketingu ka arritur të bëj lavazhin e duhur pa shpjeguar efektet anësore apo kush duhet ta përdorë.


Por kjo se përjashton faktin se mund të gjendet në tregun e zi ashtu si një pjesë e medikamenteve që shpesh herë janë kapur edhe kontrabandë. Ndërkohë që online në rrjetet sociale ka edhe njoftime të tipit, blini stilolaps Ozempic.
Përtej kufijve, Ozempic-un mund ta porosisësh edhe online. Në Amazon krahas stilolapsave Ozempic, me recetë nga mjeku të ofrohen edhe guidat se si mund t’i përdorni, të cilat kushtojnë vetëm 7 dollarë. Marketingu që i bëhet këtij medikamenti po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm, ndërkohë që njerëzit gjithnjë e më shumë po e kërkojnë dhe nëse navigon në rrjet do të shohësh që ai gjendet në sasi shumë të pakta.

Por çfarë thonë mjekët për këto medikamente? A duhet të përdoren nga njerëzit e shëndetshëm? Pse po bëhen kaq popullore?

Mjekja Aurora Dollenberg, Kryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë tërheq vëmendjen e konsumatorëve për përdorimin e Ozempic. “Medikamemte si Ozempic apo alternativa të tjera që janë të licensuara për sëmundje të ndryshme po bëhen gjithnjë e më të përdorura për rënien në peshë. Janë bërë shumë popullore sepse kanë një efikasitet shumë të shpejtë në kohë. Për katër javë pacienti humbet gati 20% të peshës trupore që kishte. Ozempic është e lincesuar ng EMA dhe FDA dhe është një medikament që jepet me recetë për pacientët që kanë diabet. Pra, duhet diagnoza dhe receta dhe në Evropë është e ndaluar që ta marrin pacientët e shëndoshë. Ka shitje ilegale të Ozempic, ashtu siç ndodh dhe me shumë medikamente të tjera, por ajo që është më shqetësuese edhe nëse shitet në tregun e zi, blerësit zakonisht mashtrohen me gjilpëra që janë false. Janë bërë analiza këtu në Gjermani dhe kanë rezultuar se në vend të Ozempic njerëzit kanë paguar për gjilpëra të mbushura thjesht me NaCl, ujë me kripë”, shprehet mjekja, duke shtuar se, “trendi viral po shkakton një mungesë të theksuar të Ozempic në farmaci për pacientët që vuajnë nga diabeti i tipit 2”.
“Ka shumë efekte anësore të rrezikshme tek personat e shëndetshëm që nuk janë me diabet. Efekti më i madh anësor është fatal për jetën dhe lidhet me hypogliceminë, ulja e nivelit të sheqerit në gjak nën normat e lejuara. Nëse kjo i ndodh pacientit, ai mund të humbasë vetëdijen dhe të kalojë në një shok hyglicemik (gjendje kome). Nëse gjendja zgjat për 30 minuta dhe nuk i jepet ndihmë atëherë kjo mund të jetë fatale për pacientit, sepse truri nuk furnizohet normalisht me sheqer”, thekson mjekja Dollenberg.
Saxenda, Wegovy, Zepbound më i fundit i miratuar nga FDA ditët e para të nëntorit janë të tjera medikamente ashtu si Ozempic, shumë popullore që po përdoren për uljen e peshës trupore. E keqja më e madhe, thotë mjekja Aurora Dollenberg është se, ka bluza të bardha që korruptohen dhe ju përshkruajnë pacientëve të shendëtshëm në recetë Ozempic. Kjo ka ndodhur në Gjermani disa herë dhe mjekët tashmë janë mbrapa hekurave ndërkohë që hetimet vazhdojnë. Por, pavarësisht këtyre marketingu vazhdon të kryhet pa vënë në pah efektet negative, duke vënë në rrezik ata që i konsumojnë. Reklamimi pa një filtër në rrjetet sociale po shtyn gjithnjë e më shumë breza të ndryshëm të bëhen pjesë e trendeve që nisin nga njerëzit e famshëm pa ditur se deri ku do të mbërrijnë. Jo më larg se në fillim të këtij nëntori, një nënë në Australi humbi jeten nga përdorimi i medikamenteve për uljen e peshës përfshirë edhe Ozempic, madje edhe me përshrkimin e mjekëve sipas familjarëve. Arsyeja e përdorimit të këtyre medikamenteve nga kjo nënë që nuk jeton më: “Të dobësohej për fustanin që do të vishte në dasmën e së bijës”.
Sot disa prej këtyre medikamenteve po testohen edhe tek fëmijët që janë mbipeshë.

Ndërkohë që testimet po përfshijnë çdo gupmoshë, firmat farmaceutike kanë nisur nga puna që të prodhojnë sa më shumë medikamente që ndihmojnë në uljen në peshë, por shumë pak reklamohet dhe flitet për efektet anësore. A ka mbërritur në Shqipëri? Një gjë është e sigurt njerëzit janë të interesuar dhe kuriozë për të mësuar sa më shumë për medikamentet që bëjnë mrekulli, dhe shpesh neglizhojnë informacionin që duhet të marrin për efektet anësore madje dhe fatale për jetën.

*Autorja e shkrimit është gazetare me eksperiencë mbi 20-vjeçare në çeshtje sociale, shendetëse dhe arsimi. Pre disa vitesh punon në Top Channel.

 

 

** Ky publikim është prodhuar në kuadër të projektit “ALERT pë mbrojtjen e konsumatorit”, me mbështetjen e Programit #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës ALERT dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së ose të qeverisë gjermane.

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed