Menu

Produktet e skaduara nga halli apo nga joshja e ofertave? Sa vlerë kanë për konsumatorët dhe sa të rrezikshme janë?

Nga Vilma KËRÇIKU

Nuk janë të pakta rastet kur konsumatori është përballur me produkte të skaduara në markete të ndryshme dhe në fakt nuk kanë munguar as rastet kur vetë insitucionet përkatëse i kanë denoncuar subjektet tregtare që shesin produkte që i ka kaluar afati skadencës apo i mbajnë ato në kushte të papërshtatshme higjene. Vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për periudhën Janar-Tetor 2023 janë 237 raste bllokimi me sasi: 312.45 ton, 7075.6 litra, 7968 kokrra vezë dhe 72600 copë.
Cilat janë produketet e bllokuara dhe që kryesojnë listën?
AKU: “Më shumë janë bllokuar produkte ushqimore si: Çokollata, biskota, çokokrem, makarona, pije të ndryshme, mish dhe nënprodukte mishi, vezë, gjalpë, si dhe produkte pastiçerie.
Cilat janë arsyet kryesore të bllokimit dhe sa nga këto janë produkte ushqimore?
AKU: “Arsyet kryesore te bllokimeve janë: marrje mostre, etiketim, mungesë gjurmueshmërie, analiza mbi normë (ushqim i pasigurtë), si dhe për arsye skadence. Produkte ushqimore janë 227 raste bllokimi me sasi 311.3 ton, 7014.5 litra, 7968 kokrra vezë dhe 600 copë. Janë 38 raste bllokimi për arsye të skadencës me sasi: 3.77 ton, 579 litra, si dhe 2982 kokrra vezë.

Ersida Teliti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës “Konsumatori shqiptar”:
“Denoncimet kryesore të konsumatorëve gjatë kësaj periudhe kanë qenë për produktet ushqimore, të cilat në fakt janë dhe ankesat më të shpeshta. Ato vijonë të kryesojnë listën e ankesave të konsumatorëve. Erisda Teliti nga thotë se ushqimet e skaduara ato nuk kanë vlera ushqyese, por vazhdojnë të jenë dhe mund të përdoren nga konsumatori. “Ka rrjete të ndryshme supermarketesh, ka linja të ndryshme tregtarësh të cilët tregtojnë produkte jashtë datës së skadencës apo jetëgjatësisë së tyre. Duhet theksuar se, nëse nuk tregohesh i kujdesshëm këto produkte nuk i gjen vetëm në rrjete supermarketesh të cilat zakonisht janë më të rregullta për shkak të kontrolleve më të mëdha nga AKU dhe Drejtoritë Rajonale. Në markete apo tregtarë të vegjël, propabiliteti për të gjetur produkte të skaduara është dhe më i madh”, shprehet Teliti. Këto janë foto që janë shkrepur në disa supermarkete në Tiranë:
Por a e zbatojnë të gjitha bizneset rregullin e asgjesimit të produkteve të skaduara?
Sipas Telitit, “si rregull të gjitha produktet e skaduara nëpërmjet një procedure që është pikërisht procedura e asgjesimit e parashikuar me ligj në aktet ligjore dhe nën ligjore në fuqi duhet të grumbullohen të gjitha bashkë dhe të asgjesohen. Asgjesimi i këtyre ushqimeve duhet të jetë në përputhje me standardet e tjera sikurse lidhet me mjedisin dhe mbrojtjen e tij. Institucionet apo tregtarët që e bëjnë asgjesimin duhet të ndjekin dhe të respektojnë prodecedurat qoftë ato administrative apo ato që lidhen me mbrojten e mjedisit, ndotjen e ajrit dhe sigurinë e jetës. Nuk duhet të ndotet toka, pasi një tokë e ndotur do të ndikojë drejtëpërdrejtë tek bimët dhe te fitosaniteti.
Sa vlerë kanë produktet që janë në ofertë dhe shumë pranë skadencës apo ato që e kanë kaluar prej ditësh afatin e prodhimit?
Nutricionistja Diola Dosti tregon se data e skadencës flet më shumë për cilësinë ushqimore sesa për sigurinë ushiqmore. “Ajo përfaqëson një lloj ‘vërtetimi’ të prodhuesit që produkti është i freskët. Pra, data e skadencës është më shumë një lloj udhëzuesi ndaj ushqimit sesa një rregull i fortë për t’u mbajtur. Normalisht një ushqim ka më pak vlera ushqyese sa më gjatë ai qëndron në raft. Prandaj dhe Departamenti i Agrikulturës US vendosi datë skadence tek qumështi formulë pasi nuk është e garantuar që pas datës së skadencës, produkti ruan vlerat ushqyese”.

Por si ta dallojmë një produkt kur ka skaduar dhe të mos biem pre e tij?
Ka raste që konsumatorët gënjehen nga etiketat që mbivendosen njëra pas tjetrës dhe shpesh nuk arrijnë të gjejën datën e skadencës dhe vrapojnë për ta blerë. Nutricionistja jep detajet se si mund ta zbuloni një produkt të skaduar nga disa element: “Myku, ngjyra dhe aroma janë veçoritë kryesore, por kujdes Escherichia coli është bakteri nga i cili duhet të ruhemi në këto raste. Nëse keni një dyshim mbi një produkt të caktuar si në aromë, ngjyrë, etj më mirë hidheni”
Produktet me origjinë shtazore janë më të rrezikshme dhe ndaj tyre duhet të ruhemi më shumë, përmendim këtu:vezën, mishin, kosin dhe veçanërisht me qumshtin duhet të kemi kujdes më të theksuar. Kur ne konsumojmë një produkt të skaduar do të thotë se nuk marrim të njëjtat vlera nutricionale. Frutat dhe perimet që nga momenti i shkëputjes së tyre nga toka, bima apo rrënja humbasin një vlerë shumë e lartë të vitaminave apo dhe mineraleve të tjera”- shpjegon nutricionistja.
E thënë shqip ofertat dhe çmimet jo të kripura na vënë të gjithëve në dilemë, si ata që nuk kanë me se ta mbushin tryezën, por edhe ata që joshen për ta pasur sa më plot. Por kujdes se sasia e madhe ju kushton shëndetin dhe ky i fundit ka sërish një kosto edhe më të lartë për xhepat tuaj.

*Autorja e këtij materiali është gazetare me eksperiencë 13-vjeçare në media të shkruara dhe elektronike, e fokusuar kryesisht te çeshtjet sociale. Aktualisht punon në televizionin kombëtar Top Channel.

 

 

 

** Ky publikim është prodhuar në kuadër të projektit “ALERT pë mbrojtjen e konsumatorit”, me mbështetjen e Programit #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës ALERT dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së ose të qeverisë gjermane.

Related Posts