Menu

OKB duan të rrisin ndërgjegjësimin për rolin e ligatinave

Rezervati natyror “Wicken Fen” në Angli, me një sipërfaqe prej mbi 250 hektarësh është një prej zonave të pakta moçalore të vendit. Shtresat e bimësisë së kalbur dhe lëndët organike në ujë krijojnë atë që quhet torfë. Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin thotë se, “tokat me torfë thithin dy herë më shumë karbon se të gjitha pyjet e botës”.

Këneta Wicken është një nga zonat moçalore më të rëndësishme në Evropë. Por ligatinat janë nën kërcënim. Kombet e Bashkuara po shtojnë ndërgjegjësimin për ekosistemin më të rrezikuar në botë.

Kjo është një nga ultërisat e pakta ligatinore, një ekosistem dikur mjaft i madh që u krijua me rritjen e nivelit të detit gjatë Epokës së Akullnajave, rreth 12 mijë vite më parë.

Duke filluar në shekullin e 17, pjesa më e madhe e asaj zone të gjerë moçalore në Anglinë Lindore u tha dhe u tjetërsua në tokë bujqësore. Toka e pasur është ideale për bujqësinë dhe kërkohet shumë. Për fat të mirë, banorët e fshatit Wicken e ruajtën zonën e tyre të vogël moçalore.

Botanistët nga Universiteti i Kembrixhit, aty pranë, filluan të studiojnë habitatin e larmishëm natyror dhe ndihmuan në përpjekjet për të ruajtur kënetën. Moçali Fen është në pronësi të Trustit Kombëtar që e ka menaxhuar atë që nga viti 1899.

Rojtari Ajay Tegala punon për Trustin Kombëtar në moçalin Fen. Detyra e tij është që të kujdeset për moçalin por edhe që të ndërtojë një trashëgimi të re për kënetën me krijimin e ligatinave përreth.

Rojtari Tegala thotë se kuaj polakë të llojit Konik janë sjellë këtu për të menaxhuar ripërtëritjen e bimëve.

“Moçalet janë shumë të rëndësishme për natyrën dhe janë strehë e shumë specieve. Ky park tërheq shumë vizitorë për natyrën që ofron. Përfitimet nga ligatinat janë të shumta”.

Gjatë 25 viteve të fundit këneta Fen është dyfishuar për nga përmasat. Ka plane ambicioze për të zgjeruar kufijtë aktualë deri në periferi të Kembrixhit.

Shtresat e bimësisë së kalbur dhe lëndët organike në ujë krijojnë atë që quhet torfë, e cila rritet në një masë prej 1 milimetër në vit.

1.4 milionë kilometra katrorë sipërfaqe moçalore me torfë në mbarë botën konsiderohen si thithësit më të rëndësishëm të karbonit në planet. Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin thotë se, “tokat me torfë thithin dy herë më shumë karbon se të gjitha pyjet e botës”.

Dr. Jenny Williamson është biogjeokimiste për ligatinat në Qendrën e Mbretërisë së Bashkuar për Ekologjinë dhe Hidrologjinë.

“Në të gjithë botën kemi toka me torfë që ruajnë tonelata të tëra karboni. Karboni i thithur nga kjo torfë mbetet i depozituar në tokë dhe nuk kontribuon në ngrohjen globale”.

Bonifikimi i tokës po shton rreziqet për ligatinat.

“Nëse thahen kënetat, toka mund të dekompozohet shumë shpejt. Por toka me torfë në gjendje të mirë mund të ruajë karbonin për mijëra vite. Nëse prishet toka me torfë atëherë çlirohet karboni i depozituar”, thotë Dr. Jenny Williamson.

Kombet e Bashkuara shpresojnë të rrisin ndërgjegjësimin për rolin e rëndësishëm që luajnë ligatinat. Pavarësisht se mbulojnë vetëm gjashtë për qind të sipërfaqes së tokës, 40% e të gjitha llojeve të bimëve dhe kafshëve jetojnë ose shumohen në ligatina. (AP)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts