Menu

Paketa Fiskale penalizon prodhimin vendas

Pse paketa e re fiskale kundërshtohet në tërësi nga industria prodhuese? Cilat janë efektet nga rritja e taksave sipas Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe sipërmarrjes së prodhimit të çimentos? Sa do të jetë rritja e çmimeve të ushqimeve nga 1 janari 2022, nëse Parlamenti miraton rritjen e taksave të propozuara nga qeveria

 

Dorina Azo

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Qendra e Eksportuesve, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë – Tiranë, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit dhe përfaqësues të sektorit të çimentos, i kundërshtojnë njëzëri ndryshimet e propozuara me Paketën Fiskale 2022. Ndryshimet propozohen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në një kohë kur sipërmarrësit po vuajnë shtimin e kostove, nga shtrenjtimi i lëndës së parë, energjisë, gazit dhe transportit në tregjet ndërkombëtare, për shkak të krizës nga Covid-19. Rritja e taksave, sipas tyre godet drejtpërdrejt prodhimin vendas, pasi shton kostot prodhuese dhe tkurr mundësitë financiare për investime. Bizneset paralajmërojnë se nga shtimi i taksave do të rriten importet dhe do të bien eksportet.

Me paketën e re është propozuar heqja e TVSH-së së rimbursueshme nga 6% që është aktualisht për agroindustrinë bujqësore. Parashikohet që skema e rimbursimit të TVSH-së të zëvendësohet me skema subvencionuese, por ende nuk është prezantuar projekt konkret. Ndryshimet fiskale propozojnë edhe vendosjen e akcizës për gazin  6 lekë/litri, nga zero aktualisht (më parë taksohej vetëm gazi që përdorej për automjete).

Mbështetur në rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), është propozuar heqja e rimbursimit për lëndët djegëse, të cilat përdoren për nevoja teknologjike për sektorë, si: farmaceutika, tullat, çimento, birra dhe nafta bruto. Projektligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, përjashton nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë, ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë aktualisht.

Shoqatat e biznesit ngrenë shqetësimin se projektligjet e paketës së re fiskale, jo vetëm që nuk e ndihmojnë sipërmarrjen të rimëkëmbet nga kriza e Covid-19, por do ta detyrojnë atë që, për të mbijetuar, të rrisë çmimin e produkteve ushqimore dhe bujqësore. Sipërmarrësit paralajmërojnë se nëse këto ndryshime miratohen nga 1 janari 2022, çmimet e produkteve ushqimore do të rriten 30%. Grupet e interesit propozojnë se në këtë periudhë është më i përshtatshëm hartimi i një platforme kombëtare në ndihmë të prodhimit vendas, zbatimi i fondeve subvencionuese, krijimi i një fondi për të lehtësuar kreditimin, si dhe ulja e TVSH-së në 5% për produktet ushqimore.

 

Si penalizohet prodhimi vendas nga ndryshimet fiskale

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë është kundër ndryshimeve të paketës fiskale, pasi sipas sekretarit të përgjithshëm, Arben Shkodra, goditet prodhimi vendas dhe nuk janë të përshtatshme për këtë kohë, kur prodhuesit po vuajnë shtimin e kostove nga çmimet e larta në tregjet e huaja.

“Propozimet fiskale për 2022-n godasin 90% të prodhimit vendas dhe vijnë pas gati 3 vitesh të vështirë që kaloi sipërmarrja nga ngjarja e tërmetit dhe pandemia. Këtë vit po ashtu ka pasur rritje të lartë të çmimeve të lëndëve të para, transportit, energjisë dhe gazit në tregun botëror. Prodhimit vendas i vendosen barra fiskale që nuk i ka pasur më parë, ndërkohë që për 2021, qeveria duhet të kishte nisur bisedimet me sipërmarrjen, jo për paketën fiskale, por për hartimin e një platforme për të mbështetur dhe për të lehtësuar prodhimin vendas”.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë (DHTIT), z. Nikolin Jaka, e konsideron paketën fiskale një politikë të nxituar nga qeveria dhe e pakonsultuar më parë me biznesin. “Është një politikë e njëanshme, thjesht për të mbushur boshllëqet e buxhetit të shtetit, por pa llogaritur dhe pa marrë fare në konsideratë goditjen që do të pësojë industria prodhuese. Është një veprim që shkon në kundërshtim me strategjinë e biznesit dhe të investimeve, ku vetë qeveria deklaron se synon dhe pretendon ‘që do të rrisim konkurrueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve, që industria prodhuese të bëhet konkurruese me vendet e rajonit etj’”.

Kreu i DHTI thotë se nga ndryshimet fiskale do të frenohen investimet në teknologji dhe se shtimi i kostove do të përkeqësojë të gjithë sektorët e ekonomisë. “Duke marrë në konsideratë faktin se po përjetojmë një situatë të përshkallëzimit të frikshëm të rritjes së çmimeve në tregun global, për shumë lëndë të para, qeveria në vend që të ndihmojë dhe të lehtësojë sipërmarrjen, me këto projektligje ndikon negativisht dhe shton barrën e kostove të prodhimit dhe me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për sipërmarrjen vendase dhe ekonominë në tërësi.

Efektet nga heqja e TVSH-së së rimbursueshme

Nga 1 janari 2019 nisi zbatimin skema e re e rimbursimit të TVSH-së nga 20% në 6%. Ndryshimet ndikuan negativisht tek industria përpunuese, sidomos te prodhuesit e produkteve të bulmetit. Në paketën e re fiskale propozohet heqja e TVSH-së së rimbursueshme me 6%. Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Luis Ndreka, nënvizon se paketa fiskale është në favor të mbledhjes së të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe jo në ndihmë të sektorëve të ekonomisë.

Sipas drejtuesit të Shoqatës së Përpunuesve, për sektorin e përpunimit të qumështit, është shqetësuese disbalanca e TVSH-së ku në blerje të lëndës së parë, sektori nuk kompensohet dhe TVSH-ja për shitje është 20%. “Sektori i përpunimit të qumështit është më i penalizuari nga ndryshimet e paketës fiskale, sepse ne jemi të vetmit që nuk eksportojmë. Eksportet janë në nivele shumë të ulëta. Për shkak të moseksportimit, TVSH-ja paguhet në vend dhe për blerjen e lëndës së parë nuk kompensohemi. Jemi të vetmit në rajon që kemi TVSH 20% për shitjen e produkteve të shportës dhe bulmetit, ndërkohë që Italia e ka 8%, Maqedonia e Veriut dhe Kosova 8%, ndërsa subvencionet për fermerin janë zero.

Në kohën e krizës, kur industria po vuan shtrenjtimin e lëndës së plastikës dhe lëndës ushqyese për kafshët në tregjet e huaja, nga qeveria propozohet shtim më shumë i kostove nga rritja e taksave”. Kreu i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, z. Ndreka thotë se në këtë kohë kur industria po vuan shtrenjtimin e lëndës së parë nevojitet barazimi i TVSh-së, si në blerje, edhe në shitje, si dhe të jepen 10 lekë/litër qumësht të faturuar për fermerin. “Këto masa formalizojnë sektorin, rrisin bazën e tatueshme dhe shteti brenda vitit ka për të mbledhur më tepër të ardhura. Zbatimi i këtyre masave do të formalizonte në vitin e parë 50% të bujqësisë, dhe pas vitit të dytë, deri në 70 – 80%”. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts