Menu

Pilur i Devollit, fshati që jeton me ujë të zier, banorët: Vjen i kuq, kemi 10 vjet

Rreth 1 mijë banorë të fshatit Pilur të Devollit kanë 10 vjet që nuk pinë ujë nga rubineti. Uji vjen i papastër dhe në ngjyrë të kuqe thonë banorët dhe për ta konsumuar ata duhet ta ziejnë fillimisht. Kjo praktikë vazhdon prej vitesh dhe banorët shprehen të pakënaqur nga mosreagimi i institucioneve vendore.

“Duhet ta vësh njëherë në zjarr, ndoshta mendojmë se mund t’i heqën deri diku mikrobet, pastaj nga e keqja do ta konsumosh. Se s’kemi çfarë të bëjmë tjetër”- thotë një nga banorët.

Të shqetësuar për shëndetin e tyre banorët kërkojnë ndërhyrje në tubacionët e fshatit për të përmirësuar cilësinë e ujit të pijshëm. Ndotja e një prej burimeve më jetësore për njeriun shkakton probleme kryesisht në veshka dhe në organizmin e njeriut. Pasiguria për ujin e pijshëm ka qenë problem i mbartur në vite për fshatrat e thellë të Shqipërisë.

Bashkitë ose njësitë e administrimit nuk janë kujdesur për t’u siguruar ujë atyre pak banorëve të mbetur, duke nxitur largimin e tyre. Në këto kushte, banorët e fshatit Pilur vijojnë të ziejnë ujin derisa pushteti vendor të “vendos ujin në zjarr” për zgjidhjen e këtij problemi.

Marrë nga Ora News

Qendra Alert/Alert.al

 

Related Posts