Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka njoftuar se, ngarkesa me mish pule me origjinë nga Brazili, të importuara nga kompania “Apetit”, kanë rezultuar me prezencë rë Salmonella Minnesota. AUV ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të mishit të ngrirë, ndërkohë që u njoftuar se, në kuadër të kontrolleve të jashtëzakonshme të mishit të importuar, të urdhëruara nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Armend Muja, ka konstatuar praninë e bakterit Salmonella Minnesota në mostra të mishit të ngrirë të pulës me origjinë nga Brazili, të importuar nga operatori Apetit SHPK. Bazuar në rezultatet laboratorike dhe në zbatim të neneve 7, 10 dhe 15 të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim, AUV ka vendosur ndalimin e përkohshëm të qarkullimit, vendosjen nën kontroll zyrtar dhe tërheqjen nga tregu të produkteve të identifikuara.
Produktet e përfshira në vendim e tërheqjes nga tregu dhe asgjësim janë:
Marka Origjina Nr. i aprovimit LOT
Coopavel Brazil SIF 3887 R-14427
Superfrango Brazil SIF 3404 R20598
Salmonella Minnesota është një serotip patogjen i bakterit Salmonella enterica, prania e të cilit në ushqim paraqet rrezik potencial për shëndetin e njeriut. Ky bakter mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale dhe të transmetohet përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar ose kontaminimit të kryqëzuar gjatë trajtimit dhe përgatitjes së mishit. Në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-120 për Ushqim, konstatimi i këtij patogjeni kërkon vlerësimin e rrezikut dhe ndërmarrjen e masave proporcionale për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
Por, përveç shëndetit të konsumatorëve të Kosovës, Kompania APETIT e rrezikon seriozisht dhe atë të shqiptarëve. Qendra ALERT, gjatë këtij viti ka ngritur shqetësimin e bazuar mbi prova se në Kosovë importohet mish gjedhi, por edhe shpendësh, nga stabilimente të pamiratuara nga Bashkimi Evropian. E në të kundërt të kësaj, mes Kosovës e Brazilit duhet të kishte marrëveshie, me qëllim verifkimin në vend të stabilimenteve e më pas një vendim për lejimin apo jo të importit nga stabilimentet që do të presupozohej se plotësonin standardet. Sigurisht edhe kjo nuk mund të ndodhte, pasi Brazili nuk e njeh Kosovën shtet. Në këto kushte, në Kosovë importohet çfarëdo lloj mishi. Madje, kompanisë Apetit, disa javë më parë, iu bllokuan në Portin e Tivarit (Mali i Zi) 3 konteiner me mish të skaduar, teksa po përpiqeshin t’i ndryshonin afatet e përdorimit, me destinacion Kosovën.
Përveç qytetarëve të Kosovës, njësoj janë të rrezikuar dhe konsumatorët e Shqipërisë. Kjo, pasi kompania Apetit është e vetmja që eksporton mish nga Kosova drejt Shqipërisë. Megjithëse prej shumë kohësh Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Ministria e Bujqësisë në Shqipëri janë në dijeni të problemeve, të pasqyruara dhe nga hulumtimet e Qendrës ALERT, nuk është ndërmarrë asnjë masë për ndalimin e importit të mishit nga Kosova. Megjithëse në dokumente vjen si mish me origjinë nga Kosova, të gjith burimet, hulumtumet dhe rrugët çojnë në faktet se origjina e tij është Brazili, por dokumentet falsifikohen në Kosovë. Madje, një vendim për ndalimin e importit nga Kosova (të produkteve mish nga Brazili), Shqipëria nuk e ndaloi as pas ndalimit nga BE dhe nga vetë vendi ynë të mishit të gjedhit dhe të shpendëve nga Brazili. Megjithëse autoritetet tona janë në dijeni të problemit dhe rrezikut që iu kanoset konsumatorëve në Shqipëri, ende asnjë masë nuk është ndërmarrë. Madje, as mostra për analiza të këtyre produkteve që vijnë nga Kosova nuk merren. Pa harruar dhe qindra tonë mish pule që vijnë nga Tajlanda në Shqipëri nëpërmjet Kosovës.
Kur autoritetet shqiptare do të mendojnë seriozuisht për sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik? Kur të ketë të sëmurë apo viktima? Apo vetëm kur duhet të bëhet dicka vetëm në kuadër të integrimit, pa menduar që mbi të gjithe, prevalon shëndeti publik?!
Qendra ALERT


