Menu

Qendra ALERT dhe Avokati i Popullit, memorandum bashkëpunimi për adresimin dhe trajtimin e ndërsjellë të ankesave të konsumatorëve

TIRANË – Qendra ALERT dhe Avokati i Popullit nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi për orientimin apo adresimin e ndërsjellë të ankesave të qytetarëve/konsumatorëve, me qëllim që çdo denoncim apo shqetësim i tyre të mos mbetet i patrajtuar deri në zgjidhje. Duke pasur parasysh dhe fushën e veprimtarisë, Avokati i Popullit do të trajtojë çështje që lidhen me administratën publike, mosndërhyrjen e saj në rastet e gjetjeve të deleguara nga Qendra ALERT dhe ankesave të konsumatorëve, ndërsa institucioni i Avokatit të Popullit do të adresojë pranë ALERT ankesat e konsumatorëve në marrëdhëniet me subjektet private.

Memorandumi u nënshkrua në zyrat e institucionit, nga Avokati i Popullit Z.Endrit Shabani, dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës ALERT, Granit Sokolaj.

Sipas memorandumit të bashkëpunimit, kur Avokati i Popullir konstaton se, një ankesë ka si objekt cënimin e të drejtave të konsumatorëve në një marrëdhënie ndërmjet subjekteve private, jashtë juridiksionit të tij, ai i kthen përgjigje ankuesit, duke e informuar për organet kompetente shtetërore dhe krahas tyre për mundësinë e asistencës nga Qendra ALERT.

Ndërsa kur Qendra ALERT konstaton nëpërmjet numrit të gjelbër 08002626 apo mënyrave të tjera të ankesave/denoncimeve, se një rast ka si objekt veprime ose mosveprime të organeve të administratës publike, e informon qytetarin për të drejtën e ankimit pranë Avokatit të Popullit dhe për mënyrat e depozitimit të ankesës, apo ia përcjell rastin drejpërdrejt Avokatit të Popullit.

Ky memorandum mes Avokatit të Popullit dhe Qendrës ALERT e çon në një tjetër nivel trajtimin e ankesave të konsumatorëve, duke bërë që ato të adresohen më vendin dhe mënyrën e duhur, si dhe do të mund të jenë më gjithëpërfshirëse, për çështje më të shumta që i shqetësojnë qytetarët. Gjithashtu, rrit dhe numrin e rasteve të zgjidhura në favor të konsumatorëve.

Qendra ALERT, e cila falenderon Avokatin e Popullit, Z.Endrit Shabani, po zbaton projektin “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra ALERT në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA). Në sajë të këtij projekti, është krijuar dhe Linja Kombëtare e Konsumatorëve, një numër i gjelbër 08002626, ku konsumatorët mund të telefonojnë falas dhe të adresojnë ankesat e tyre. Këto të fundit, ALERT i adreson pranë subjekteve private apo enteve publike, për zgjidhje.

Sipas memorandumit të sotëm, tani e në vijim, për rastet që kanë lidhje me mosveprime të institucioneve publike, Qendra ALERT do t’i adresojë ato pranë Avokatit të Popullit për ndërhyrje dhe e anasjellta për ankesat për subjekte private pranë Avokatit.

Related Posts