Në emisionin “Alert” moderuar nga Grant Sokolaj në Ora News, ashtu siç ju kishim premtuar, filluam të trajtojmë ankesat për të ndihmuar ata deri në zgjidhjen e çështjeve të tyre, përmes Linjës së Gjelbër të Qendrës Alert, numri 08002626. Një ankesë ka arritur në redaksinë e “Alert”, nga një person që na shkroi për një problem që kishte. Ai kishte parë një reklamë që ofronte kredi me interesa të ulëta në Francë, dhe për shkak të nevojave të tij, kishte aplikuar.
Ai kishte plotësuar një seri dokumentash që i kërkoheshin për t’u dukur si një aplikim më i besueshëm dhe më i përgatitur. Komunikimi me kompaninë ishte që, nëse nuk miratohej kredia, nuk do të kishte asnjë pagesë. Por, në rast se miratohej kredia, ai duhej të paguante një shumë për sigurimin e kredisë. Pas pak, e kontaktuan dhe i thanë se ishte miratuar kredia dhe se duhej të paguante 800 euro për sigurimin e saj, përmes transferta të shpejta.
Pasi e bëri këtë transferim, nuk i është përgjigjur më askush dhe nuk mundi të marrë informacion për rizgjedhjen e kredisë prej 150 mijë euro, që kishte kërkuar. Sigurisht, Qendra Alert do ta ndjekë këtë rast, megjithatë, për shkak të situatës dhe mashtrimeve të mundshme që mund të ndodhin në Francë, është e vështirë të gjejmë ata individë.
Po ashtu, duam të paralajmërojmë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien viktima të mashtrimeve në rrjetet sociale. Është shumë e rëndësishme të mos hapni linke të dyshimta që dërgohen nga persona të panjohur dhe të mbani të sigurtë informacionet personale.


