Siguria dhe cilësia ushqimore, ka qenë temë edhe e kësaj jave në emisionin “Alert” të moderuar nga Granit Sokolaj në Radio Prishtina.
Mysafir i kësaj jave ishte Faton Nagavci, drejtori ekzekutiv i shoqatës “Organika”, ku temë kryesore ishin prodhimet organike.
Nagavci erdhi në studio disa ditë pas Konferencës së dytë ndërkombëtare për bujqësinë organike në Kosovë, në të cilën ka pasur prezencë të ndryshme të ekspertëve ndërkombëtarë.
Ai tha se në Kosovë ka një numër të madh të prodhimit të çajrave organik, ndërsa përmendi si pozitive që edhe kujdesin ndaj këtyre prodhimeve bëhen në mënyrë organike.
“Një shembull shumë pozitiv në Kosovë, te disa gra që prodhojnë çajra, ato kundër insekteve përdorin lëng nga hithra për spërkatje, kjo është në Kosovën e pazhvilluar në krahasim me shtete tjera, ka pesticide që vet fermeri i bën dhe i përdor”, tha ai në emisionin “Alert” në Radio Prishtina.
Ai përsëriti disa herë që prodhimi organik gjithmonë duhet të jetë i certifikuar dhe sa më i leht të dallohet nga konsumatori.
“Te bujqësia organike përdoret më shumë fuqia punëtore, pasi shumica e punëve bëhen me dorë dhe kjo e ngrit koston, pastaj është kostoja e certifikimit. Para dy viteve u trefishuan çmimet e plehrave dhe pesticideve, por dallimi mes çmimit konvencional dhe atij organik ndryshoi, pasi ushqimet organike mbeten të njetja, ndërsa të tjerat u rriten”, tha Nagavci.
Ai tha se Qeveria e Kosovës, mbështet fermerët me subvencione, por kërkoi që kjo mbështetje të jetë edhe më e madhe, në mënyrë që të promovohet sa më shumë bujqësia organike.
“Ministria e Bujqësisë ka avancuar, pasi në vitin 2023 subvencionet kanë qenë 100 euro për hektar, ndërsa nëse e ke produktin organik i ke marr edhe 100 euro shtesë, kurse këtë vit është rritur dhe është bërë 250 euro, ta zëmë që një fermerë kultivon speca organik, ai do t’i merrte rreth 750 euro dhe shtesa për derivate, mirëpo unë e kisha lut ministrinë me të cilën kemi bashkëpunim të mirë dhe ka qenë e hapur, mendoj se ne duhet të shkojmë shumë më para, ministria dhe Qeveria duhet të bëjnë shumë më shumë në promovimin e bujqësisë organike”, shtoi Nagavci.
Emisioni “Alert” me Granit Sokolaj, transmetohet çdo të hënë në Radio Prishtina, ndërsa për denoncime, raportime dhe ankesa mund të shkruan në WhatsApp ose Viber në numrin: 049 749 066.


