Jo çdo perime e paketuar është e detyruar të ketë datë skadence në etiketë. Detyrimi për vendosjen e saj varet nga mënyra e përpunimit të produktit dhe nëse ai është i gatshëm për konsum apo kërkon përgatitje të mëtejshme.
Rasti i një pakete me sallatë organike të markës Alce Nero, e shitur në një supermarket në Itali pa datë skadence, por vetëm me numrin e lotit, ka ngritur pikëpyetje mbi rregullat e etiketimit të produkteve ushqimore.
Një konsumator ka kërkuar sqarime pasi ka konstatuar se në paketimin e sallatës mungonte data e skadencës. Punonjësit të supermarketit i është përgjigjur se kjo është normale, pasi prodhuesi nuk mund të garantojë një afat të caktuar të freskisë së produktit. Për të sqaruar nëse kjo praktikë është në përputhje me ligjin, është konsultuar eksperti i legjislacionit ushqimor, Roberto Pinton.
Kur është e detyrueshme data e skadencës?
Sipas rregullave europiane për etiketimin e ushqimeve, produktet duhet të mbajnë datën e qëndrueshmërisë minimale, e shënuar me termin “Të konsumohet mundësisht përpara”, ose datën e skadencës, të shënuar me “Të përdoret deri më”.
Data e skadencës është e detyrueshme për ushqimet që prishen shpejt nga pikëpamja mikrobiologjike dhe që, pas një periudhe të shkurtër, mund të përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorit.
Megjithatë, legjislacioni parashikon edhe përjashtime. Ndër to përfshihen vera dhe pijet me përmbajtje alkooli mbi 10%, disa produkte furre dhe ëmbëlsira që zakonisht konsumohen brenda 24 orëve, uthulla, kripa, sheqeri dhe disa produkte të tjera.
Përjashtim nga ky detyrim bëjnë gjithashtu frutat dhe perimet e freskëta, nëse nuk janë qëruar, prerë apo trajtuar në mënyrë të ngjashme.
Kjo do të thotë se një kokë sallate, një brokoli, domate, karota, patate apo fruta të paketuara nuk kanë detyrimisht nevojë për datë skadence, për sa kohë që janë të papërpunuara. Konsumatori mund të vlerësojë freskinë dhe gjendjen e tyre përmes kontrollit vizual.
Pse sallata Alce Nero nuk është në shkelje të rregullave?
Sipas ekspertit Roberto Pinton, në rastin konkret produkti nuk klasifikohet si sallatë e gamës së katërt, pra si produkt i larë, i prerë dhe i gatshëm për konsum.
Gjethet e sallatës janë të paprekura dhe në paketim është vendosur udhëzimi që produkti duhet larë përpara konsumit. Pra, sallata është vetëm përzgjedhur dhe paketuar, pa iu nënshtruar proceseve të larjes dhe prerjes.
Paketimi, i detyrueshëm për produktet organike në këtë rast, shërben për të garantuar mbrojtjen higjienike të produktit dhe për të lehtësuar procesin e blerjes nga konsumatori.
Për këtë arsye, eksperti vlerëson se mungesa e datës së skadencës në paketimin e sallatës Alce Nero është në përputhje me legjislacionin europian dhe atë kombëtar.
Ku qëndron dallimi?
Dallimi kryesor lidhet me mënyrën se si është përpunuar produkti.
Nëse sallata do të ishte e larë, e prerë dhe e gatshme për konsum, pra pjesë e produkteve të gamës së katërt, vendosja e datës së skadencës do të ishte e detyrueshme.
Por, kur gjethet janë të paprekura dhe produkti nuk është larë apo prerë, ai konsiderohet perime e freskët e papërpunuar dhe përfiton nga përjashtimi i parashikuar në legjislacion.
Pra, jo çdo sallatë e paketuar duhet të ketë datë skadence. Ajo që përcakton detyrimin është përpunimi që ka pësuar produkti, jo thjesht fakti që shitet në një qese apo ambalazh. (IlFattoAlimentare)
Qendra Alert/Alert.al


