Menu

Qumështi me ngarkesë mikrobiale, AKU reagon pas publikimit të Qendrës “Alert”, por nuk publikon raport-analizat

Analizat e produkteve ushqimore, te cilat i kryen Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, duket se dalin gjithmonë brenda standardeve. Disa javë më parë, konkretisht më 26 maj 2021, Qendra ALERT publikoi gjetjet për produktin “qumësht”, ku disa produkte rezultuan me ngarkesë mikrobiale. Investigimi dhe publikimi u bënë për qumësht të pasterizuar, të blerë në markete në ambalazhe plastike, gati për konsum, në kuadër të projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”. Linku: https://alert.al/denonco/investigimi-qumesht-gati-per-konsum-me-ngarkesa-mikrobiale-abuzimi-me-sigurine-ushqimore-arsyet-e-kontaminimit-dhe-risku-serioz-per-konsumatorin/

Pak ditë më pas, AKU, të cilën Qendra ALERT gjen rastin ta falenderoi, njoftoi se në bazë të këtij denoncimi, do të nisë një “hetim”, duke i vënë në dispozicion ato foto e video, shoqëruar me kuponat tatimor, si dhe raportanalizat që ishin në material.

Më 18 qershor 2021, AKU njofton nëpërmjet e-mailit se, të njëjtat mostra qumështi i kishin marrë dhe ata për analizë dhe kanë rezultuar brenda standardeve.

“Referuar denoncimit të  ardhur nga Qendra “Alert” për produktin qumësht i pasterizuar, ERZENILUFRAMIRELIZEPA NATYRALGJIROFARMA, të kampionuar me datë 19.12.2020, Ju informojmë se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me marrjen e këtij informacioni ka kryer ndjekjen e rastit. Mostrat për analizim të qumështit të pasterizuar janë marrë zyrtarisht nga grupet e autorizuara të DRAKU-ve përkatëse, në fabrikat e përpunimet të qumështit….referuar informacionit të ardhur nga Qendra “ALERT”.

Këto mostra janë marrë  në lote të ndryshme, të cilat janë analizuar për “ENTEROBAKTERE”, referuar Urdhrit Nr.645 datë 23.12.2016 “Për Zëvendësimin e Aneksit I, të Urdhrit Nr.234, datë 20.05.2014 Për Miratimin e Rregullores “Mbi Kriteret Mikrobiologjike për Produktet Ushqimore”, shtojca, kapitulli II pika 2.2 qumështi dhe produktet e qumështit 2.2,1, si dhe referuar Udhëzimit Nr. 3, datë 18.01.2021 “Për Miratimin e Planit Kombëtar të Kontrolleve me bazë Risku dhe të Marrjes së Mostrave për Ushqimin, Ushqimin për Kafshë, për Mbrojtjen e Bimëve dhe Inputeve Bujqësore, si dhe Planin e Marrjes së Mostrave në PIK”. Referuar përgjigjeve të analizave të marra në këto stabilimente të përpunimit të qumështit, mostrat kanë rezultuar brenda normave të lejuara”, thuhet në e-mailin e AKU.

Por, ndryshe nga Qendra ALERT, institucioni që ka për detyrë garantimin e sigurisë ushqimore, nuk bëri të ditur laboratorin ku u analizuan produktet dhe nuk publikoi as raport-analizat, ku duhet të quken qartë rezultatet laboratorike. Për këtë arsye, po në të njëjtën ditë, AKU-së iu kërkuan raport-analizat me rezultatet, gjë që deri sot më 28 qershor 2021, nuk janë bërë prezente.

“Përshëndetje! Së pari, ju falenderojme sinqerisht për angazhimin dhe përgjigjen! Së dyti, a e keni të mundur që, siç publikuam ne raport-analizat nga laboratori, të na vendosni dhe ju në dispozicion fletë-analizat për secilen mostër, me qellim publikimin e tyre? Kjo do të tregonte padyshim edhe seriozitetin e punës e angazhimit tuaj, duke treguar dhe laboratorin ku janë analizuar, duke hequr dhe dyshimet e mundshme për rezultatet e analizave.

Faleminderit per mirekuptimin!”. Këtë kërkesë ia drejtuam AKU-së po më 28 qershor.

Qendra ALERT do të vazhdojë me publikime të tjera të produkteve ushqimore, të cilat kanë rezultuar jokonform normave e limiteve që përcakton legjislacioni shqiptar për sigurinë ushqimore.

Qendra ALERT – Alert.al

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed