Menu

Raporti i INSTAT për 2024 / Rënie në numrin e deleve dhe dhive, por rritje e përgjithshme në blegtori

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, blegtoria në Shqipëri ka shënuar një rritje të përgjithshme në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023, pavarësisht uljeve të theksuara në disa kategori të veçanta. Rritja më e ndjeshme është regjistruar në numrin e përgjithshëm të gjedhëve dhe në koshereve të bletëve, ndërkohë që janë vërejtur rënie në numrin e deleve, dhive, derrave dhe njëthundrakëve.

Numri i gjedhëve është rritur me 3,3%, duke arritur në 272 mijë krerë, ndërsa numri i lopëve, si nënkategori kryesore, ka pësuar një rënie me 3,5%, nga 232 mijë në 224 mijë krerë. Nga ana tjetër, numri i të leshtave ka rënë me 2,5%, duke shkuar në 1.177 mijë krerë, me delet që shënojnë uljen më të madhe – 3,8%. Kategoria e të dhirtave ka pasur një rënie me 3,9%, ku numri i dhive ka zbritur nga 512 mijë në 501 mijë krerë. Rënia më e thelluar është regjistruar në kategorinë e derrave me 9,4%, dhe njëthundrakët kanë rënë me 12,2%, nga 67 mijë në 58 mijë krerë. Sa i përket shpendëve, megjithëse numri i përgjithshëm ka pësuar vetëm një ulje të lehtë prej 0,6%, numri i pulave ka rënë ndjeshëm me 6,6%.

Në të kundërt, numri i koshereve të bletëve ka shënuar rritje domethënëse me 13,2%, duke arritur nga 519 mijë në 587 mijë koshere, çka reflekton një orientim në rritje të fermerëve drejt bletarisë. Edhe pse numri i përgjithshëm i bagëtive është rritur, prodhimi blegtoral në disa drejtime ka rënë. Prodhimi i qumështit ka pësuar një rënie prej 2,7%, duke zbritur në 876.688 tonë. Pjesa më e madhe e këtij prodhimi vazhdon të vijë nga lopët me 84,9%, ndjekur nga dhitë me 7,7% dhe delet me 7,4%. Prodhimi i mishit në peshë të gjallë është ulur me 3,8%, ndërsa prodhimi i vezëve ka rënë lehtë me 0,7%, nga 894 milionë në 888 milionë. Ndërkohë, prodhimi i mjaltit ka shënuar rritje pozitive me 5,4%, duke arritur në 5.940 tonë.

Për sa i përket shpërndarjes rajonale, qarku i Fierit dhe ai i Korçës kanë përqendrimin më të madh të gjedhëve me përkatësisht 14,8% dhe 11,3% të totalit kombëtar. Vlora dhe Gjirokastra dominojnë në përqendrimin e deleve dhe dhive, ndërsa Lezha dhe Shkodra janë qarqet me numrin më të madh të derrave. Këto të dhëna tregojnë për një strukturë të ndryshueshme të blegtorisë shqiptare, ku disa kategori po bien ndjeshëm, ndërsa të tjera, si bletaria, po përjetojnë një zhvillim të qëndrueshëm.

Related Posts