Menu

Rrjeti Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare mbush 10 vjet, jubileu festohet në Prishtinë. Lazim Destani: Duhet bashkim dhe organizim më i fuqishëm

Në datat 17 dhe 18 maj në Prishtinë, u mbajt 10-vjetori i themelimit të Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare dhe në nder të kësaj dite u zhvillua takimi që ka bashkuar rreth 350 biznese nga diaspora dhe Kosova, si dhe përfaqëees të këti rrjeti, për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të rritur bashkëpunimet në mes tyre.
Kerry Monaghan-Hogler, zëvendës Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, tha se gjatë dekadës së fundit, puna e këtij rrjeti për të bashkuar Kosovën dhe diasporën e saj rreth tregtisë, ka sjellë mundësi të jashtëzakonshme për njerëzit këtu. “Përtej kësaj, USAID-i ka parë se si këto përpjekje po e përgatisin Kosovën për të zënë vendin e merituar në skenën botërore”, deklaroi ajo.
Në hapjen solemne të pranishmit u përshëndetën nga Yll Blakaj nga Degët e RRGBSH-së në Evropë, Kryetar i Nderi i RRGBSH, Lazim Destani, Kryetarja e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit Arieta Pozhegu, dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna.

Ky event ’10 vjetori’ kurorëzon të gjitha sukseset e deritanishme të Rrjetit, i cili nga viti i themelimit ka mbledhur në Prishtinë dhe qytete tjera shqiptare qindra – mijëra biznese nga Diaspora, duke u bërë kështu faktori kryesor ekonomik që ndikoj në rritjen e eksportit që është dëshmuar vite me radhë.
Kryetari i nderit i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, Z.Lazim Destani, në fjalën e tij tha se, e ndien si detyrim ta potencoj nevojën e bashkimit dhe ngritjen e nivelit organizativ. Edhe si afarist, duhet të jemi shumë më të organizuar dhe më të fuqishëm.
Ndërsa në rrjetet sociale të tij, Z.Destani shprehu kënaqësinë, që për dy ditë me radhë u bënë bashkë qindra shqiptarë nga diaspora e trojet tona si pjesë e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare. „Për dy ditë rresht qëndruam në Prishtinë, në vitin jubilar të 10-vjetorit të këtij Rrjeti. Ishin dy ditë të ngjeshura me aktivitete, takime e diskutime me anëtarë e përfaqësues të degëve që veprojnë në shtete të ndryshme europiane. Gjatë këtyre akiviteteve gjithashtu realizuam vizita në disa kompani në Prishtinë e në qytete tjera të Kosovës ku ndoqëm prezantime dhe ku u zhvilluan shumë takime B2B mes përfaqësuesve të bizneseve të diasporës e të vendit.

Ky aktivitet i ka shërbyer diasporës dhe Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare për të ecur në rrugën e duhur, drejt rritjes së bashkëpunimit mes anëtarëve e bizneseve shqiptare. Sa më shumë t’i forcojmë lidhjet dhe bashkëpunimin tonë aq më të suksesshëm do të jemi në projektet që kemi para nesh e në misionin tonë.
Uroj dhe shpresoj, për të mirën e të gjithë shqiptarisë ky Rrjet të ecë në rrugën e duhur të zhvillimit e fuqizimit të tij, duke mbledhur rreth vetes sa më shumë afaristë shqiptarë, kudo që ata ndodhen me aktivitetet e tyre“, shkruan filantropi e biznesmeni i njohur Lazim Destani.

Ndërsa në ditën e dytë të aktiviteteve të 10-vjetorit të Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, përfaqësuesit e bizneseve dhe degëve të Rrjetit, vizituan disa kompani në Kosovë, investime të diasporës shqiptare, siç One For.
Ndërsa në darkën solemne të 10 vjetorit të themelimit të Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, u ndanë edhe mirënjohje për ata që kontribuan në funksionim e Rrjetit prej fillimit deri tash. Mes tyre, dhe Kryetari i Nderit dhe njeriu që i shërben gjithmonë forcimit dhe bashkimit të diasporës, Z.Lazim Destani.
Më poshtë, mund të gjeni dhe fjalën e plotë të Z.Destani, mbajtur në aktivitetin e 10-vjetorit të Rrjetit.

„Të nderuar afaristë, përfaqësues të institucioneve e të shoqatave.
Të nderuar pjesëmarrës dhe miq, që prej 10 vitesh kemi ndarë kënaqësinë e bashkëpunimit dhe të angazhimeve tona.
Gjithmonë ndihem i nderuar të jem i pranishëm në ngjarje të tilla që kanë të bejnë me diasporën, duke qenë vet pjesë e saj.
Roli dhe kontributi i diasporës shqiptare ka qenë dhe vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm.
Është thënë shumë herë se, roli i bisneseve shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendeve tona është kyç dhe i padiskutueshëm.
Diaspora paraqet kapitalin më të madh, jo vetëm ekonomik por edhe social e kulturor.
Bisneset kanë qenë çdoherë të gatshme për të investuar dhe për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit.
Këtë e them edhe si urë lidhëse e Diasporës me vendet tona, dhe nga përvoja ime si afarist.
Çdo herë e theksoj se, diaspora duhet sa më shumë të këtë vëmendje në investime këtu në Kosovë dhe viset shqiptare, pasi ne po përballemi me dukurinë shqetësuese të largimit të të rinjve tanë nga vendi.
Nëse ne e kemi mundësinë që vetë apo me partnerët tanë ku veprojmë, si dhe me parterët vendorë, të investojmë apo të sjellim investitorë të tjerë, me siguri këtë shqetësim nuk do ta kemi më. Kontributi dhe rezultatet e diasporës janë evidente. Krahas mundësive të investimeve, vlerat e diasporës janë shumë-dimensionale, si nga aspekti i transferimit të eksperiencave, dijeve, inovacioneve, kulturave e pse jo edhe të rrjeteve të bashkëpunimit me bizneset dhe kompanitë europiane nëpër vendet ku ne veprojmë dhe operojmë.
Eksporti po shënon zhvillim shumë dinamik, madje, jo vetëm me çmimet konkuruese, por mbi të gjitha, me standardin e cilësisë.
Kjo na duhet. Sot nuk ka vepër më të madhe patriotike se rritja e ekonomive tona.
Si Kryetar Nderi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, e ndiej si detyrim ta potencoj nevojën e bashkimit dhe ngritjen e nivelit organizativ.
Edhe si afarist, duhet të jemi shumë më të organizuar dhe më të fuqishëm.
Duke përfunduar fjalën time, kam kënaqësinë që me rastin e këtij përvjetori jubilar kam një porosi nga Kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Z. Nazar Mehmeti, që t’ju përcjell përshëndetjet dhe urimet më të mira.
Këtij takimi jubilar, të organizuar nga Degët e Rrjetit, i uroj punë të mbarë dhe shumë sukses.
Ju faleminderit!“

Related Posts