Domatet pomodorini janë kthyer në fokusin e autoriteteve italiane pas një serie shpërthimesh të salmonelës në disa rajone të vendit.
Rajoni i Pulias u ka kërkuar bashkive dhe operatorëve të shërbimit të ushqimit kolektiv të mos përdorin domate të freskëta pomodorini në mensat e çerdheve, shkollave, spitaleve dhe qendrave të kujdesit. Në vend të tyre rekomandohet përdorimi i perimeve të gatuara.
Masa është kërkuar përmes një njoftimi urgjent të Departamentit të Shëndetësisë të Rajonit të Pulias, pas mbledhjes së Task Forcës kombëtare të zhvilluar më 30 shtator. Sipas autoriteteve, vendimi lidhet me “shpërthime të shumta” të salmonelës të raportuara në Pulia, Lombardi, Lazio dhe Friuli-Venezia Giulia.
Hetimet kanë lidhur rastet me konsumimin e domateve të freskëta, veçanërisht të domateve pomodorini të konsumuara të gjalla.
Bëhet fjalë për të njëjtin lloj të salmonelës që është përhapur në Evropë që prej vitit 2023 dhe që, sipas të dhënave të raportuara, ka prekur 437 persona. Përhapja është lidhur më herët edhe me domatet pomodorini me origjinë nga Sicilia.
Rasti ka marrë vëmendje të veçantë edhe pas një shpërthimi të salmonelës në shkollat e Val Trompia, ku dyshimet u përqendruan gjithashtu te domatet pomoodrini. Tashmë, dyshimi për një lidhje mes domateve të freskëta dhe rasteve të salmonelës është bërë më konkret.
Autoritetet po hetojnë lidhjen mes rasteve të raportuara në katër rajone italiane dhe burimit të përbashkët të kontaminimit, ndërsa masa për zëvendësimin e perimeve të pagatuara me produkte të gatuara synon të ulë rrezikun e infektimit në institucione ku ushqehen fëmijë, pacientë dhe persona të tjerë vulnerabël. (IlFattoAlimentare)
Qendra Alert/Alert.al


