Menu

Si do të jetë ekonomia përgjatë 2023? Ja çfarë paralajmëron FMN

Për pjesën më të madhe të ekonomisë globale, viti 2023 do të jetë një vit i vështirë pasi forcat kryesore të rritjes globale si Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Kina përballen me dobësim të aktivitetit ekonomik, tha drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.

Viti i ri do të jetë “më i vështirë se viti që lëmë pas,” tha zonja Georgieva në një intervistë për emisionin “Face the Nation” të televizionit CBS’.

“Pse? Sepse të treja ekonomitë e mëdha, SHBA, BE dhe Kina po ngadalësohen njëkohësisht”-tha ajo.

Në tetor, FMN e uli parashikimin për rritjen ekonomike globale në vitin 2023, duke pasqyruar rënien e vazhdueshme nga lufta në Ukrainë, si dhe trysnia e inflacionit dhe normat e larta të interesit të vendosura nga bankat qendrore si ajo e Shteteve të Bashkuara.

Që nga ajo kohë, Kina ka hequr dorë nga politika e saj zero-COVID dhe ka nisur një rihapje kaotike të ekonomisë së saj, megjithëse konsumatorët atje mbeten të kujdesshëm, ndërsa rastet e coronavirusit rriten.

Drejtoresha e FMN-së, Georgieva, tha se ekonomia amerikane mund të shmangë tkurrjen e drejtpërdrejtë që ka të ngjarë të godasë deri në një të tretën e ekonomive të botës.

Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë më të madhe të ripërtëritjes, tha ajo dhe “mund të shmangin recesionin. Ne shohim se tregu i punës atje mbetet mjaft i fortë.”

Por ky fakt në vetvete paraqet një rrezik sepse mund të pengojë përparimin që Banka Qendrore duhet të bëjë për ta ulur inflacionin në SHBA nga niveli më i lartë në katër dekada.

Inflacioni tregoi shenja se kishte kaluar kulmin e tij me përfundimin e vitit 2022, por ai vazhdon të jetë pothuajse sa trefishi i objektivit prej 2%.(VOA)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed