Menu

Sigurimi nga tërmeti, zgjidhje apo faturë për qytetarët? Ekspertët: Duhet ligj gjithëpërfshirës dhe zbatim real

Debati për sigurimin nga tërmeti po kthehet në një çështje të ndjeshme publike dhe profesionale, pasi shumë ekspertë paralajmërojnë se projektligji i ri për sigurimet e detyruara, në formën aktuale, nuk i jep zgjidhje reale situatës së rrezikut që përballet Shqipëria. Në emisionin “Alert” në Ora News, tre ekspertë të fushës së sigurimeve dhanë një panoramë të plotë mbi boshllëqet ligjore, mungesën e bazës dokumentare dhe nevojën për një sistem më të drejtë e të zbatueshëm.

Eksperti i sigurimeve dhe vlerësimit të dëmeve, Artur Sulçe, theksoi se një ndër pengesat më të mëdha lidhet me pallatet që nuk kanë certifikatë pronësie, çka e bën të pamundur sigurimin e tyre. “Kemi një problem shumë të madh me ndërtesat që nuk janë legalizuar ose ku firmat ndërtuese kanë falimentuar. Si mund ta sigurosh një pallat pa certifikatë? Janë me qindra raste në gjithë Shqipërinë, që lidhen me Aluizmin dhe ende nuk kanë zgjidhje ligjore,”  u shpreh Sulçe. Sipas tij, për sa kohë mungon kjo bazë juridike, çdo projekt sigurimi do të mbetet i pjesshëm dhe i pazbatueshëm në praktikë.

Nga ana tjetër, Venera Xhillari, Zv.drejtoreshë e përgjithshme e kompanisë “Atlantik”, tha se projektligji që po diskutohet aktualisht prek vetëm një element të katastrofave natyrore   tërmetin   duke lënë jashtë shumë rreziqe të tjera me të cilat përballet vendi. “Shqipëria është ndër vendet më të riskuara në Europë, jo vetëm nga tërmetet, por edhe nga përmbytjet, rrëshqitjet e dherave, zjarret dhe efektet e ngrohjes globale. Ligji duhet të trajtojë të gjitha këto forma rreziku dhe të ndërtojë një strategji të plotë për mbrojtjen e qytetarëve,”  argumentoi ajo, duke shtuar se kuadri aktual nuk ofron një mbulim të vërtetë për fatkeqësitë natyrore.

Në të njëjtën linjë, eksperti i sigurimeve Erald Hysa e konsideroi nismën pozitive në ide, por të vështirë për t’u zbatuar në praktikë. Ai sugjeroi që sigurimi i detyrueshëm të nisë fillimisht nga bizneset, të cilat përbëjnë bazën e ekonomisë dhe kanë kapacitet financiar për t’u përfshirë të parat në një skemë të tillë. “Në Europë nuk ka një vend që e ka bërë të detyrueshëm sigurimin për të gjitha fatkeqësitë natyrore në nivel individësh. Franca e ka si shtesë mbi policën bazë të sigurimit, ndërsa Italia po përpiqet ta zbatojë për bizneset. Edhe Shqipëria duhet të ndjekë këtë shembull për të krijuar një model të qëndrueshëm financiar,” tha Hysa, duke theksuar se zbatimi pa faza do ta kthejë projektin në një barrë për qytetarët.

Në përfundim, ekspertët bien dakord se Shqipëria ka nevojë për një sistem të integruar sigurimi nga fatkeqësitë natyrore, i cili të mbështetet mbi dokumentacion të rregullt, ligj të plotë dhe zbatim të ndarë në faza. Vetëm kështu sigurimi nuk do të jetë një “faturë shtesë” për qytetarët, por një garanci reale për jetën dhe pronën në një vend ku rreziku natyror është i pranishëm çdo ditë. https://www.youtube.com/watch?v=PorshxOsDco

Related Posts