Menu

Skema Kombëtare, Ministria e Bujqësisë: Numër i lartë aplikimesh

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se kanë aplikuar 13 mijë fermerë për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 2023. Në të njëjtën kohë, fluksi i lartë i aplikimeve sapo u hap thirrja për Skemën Kombëtare është një tregues i besueshmërisë që ka fituar skema vitet e fundit.

Provë për rritjen e besueshmërisë është fakti se nga 3-4 mijë aplikime që ishin në vitin 2017, ato janë disafish më të mëdha vetëm në orët e para të hapjes së aplikimeve.

Po ashtu, një element i rëndësishëm që ka kontribuar në rritjen e aplikimeve është edhe lehtësimi i fermerëve në procedura. Fermerët jo vetëm kanë lehtësi pasi nuk u nevojiten dokumente, por mund të aplikojnë online edhe nga shtëpia, pasi tashmë aplikimet kryhen pa vështirësi në e-Abania.

Faktor tjetër i rritjes së aplikimeve në Skemën Kombëtare është edhe diversifikimi i masave të mbështetjes, duke reflektuar nevojat në disa sektorë të rëndësishëm që nuk përfshiheshin në skemat e mëparshme. Këtu përfshihen subvencionet për të dytin vit radhaz në blegtori, rritja e masave mbështetëse në bletari e pemëtari por edhe mundësia për të përfituar nga skema e naftës pa akcizë.

Deri tani 3600 aplikime janë shënuar për skemën e naftës pa taksa për bujqësinë.

Skema kombëtare ofron nëntë masat mbështetëse, me zero dokumente dhe zero kosto dhe që mbulon pothuajse gjithë sektorët: blegtori, bletari, bimë mjekësore, ferma organike, certifikim Global GAP.

Fermerët kanë afat të aplikojnë për mbështetje në Skemën Kombëtare 2023, deri në datën 11 prill të këtij viti.

Fokusi kryesor i dhënies së fondeve këtë vit është për sektorin e blegtorisë, i cili merr 60 % të totalit të skemës kombëtare të subvencioneve në bujqësi, ndërsa fluksi më i lartë i aplikimeve vjen nga zona e Fierit, Korçës, Lushnjës, Vlorës Beratit etj.

Fermerët aplikojnë online në portalin e-Albania, për një nga nëntë masat mbështetëse që ofron kjo skemë, me zero dokumente dhe zero kosto.

MBZHR njoftoi se fermerët mund të aplikojnë për një nga nëntë masat mbështetëse që ofron Skema Kombëtare këtë vit, për sektorët: blegtori, bletari, fermat organike; certifikimi Global Gap; rinovimi i infrastrukturës së anijeve të peshkimit; mbështetje për ndërtimin e tregjeve bujqësore; mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.

MBZHR njofton se 20 agropika dhe 35 zyra të AREB-ve, pra 55 qendra gjithesej në të gjithë vendin, janë në dispozicion të informimit të fermerëve për çdo paqartësi dhe këshillim.

Gjithashtu të gjithë feremerët se në çdo moment mund të kërkojnë asistencë në numrin pa pagesë 0800 83 83, pranë Agropikave ose nga Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts