Investimi në sistemin “Smart City” në shkolla ngre pikëpyetje jo vetëm për efektivitetin e tij në garantimin e sigurisë së fëmijëve, por edhe për mbrojtjen e privatësisë, administrimin e të dhënave personale dhe mungesën e konsultimit me prindërit.
I ftuar në emisionin “Alert” në News24 Gentian Serjani avokat dhe aktivist i të drejtave të njeriut ngre shqetësime për kostot e këtij projekti dhe mungesën e transparencës mbi mënyrën se si ruhen e menaxhohen të dhënat e mbledhura nga kamerat inteligjente.
Sipas tij, fondet e shpenzuara për monitorimin mund të orientoheshin drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit, shtimit të psikologëve dhe punonjësve socialë, si dhe forcimit të strukturave që duhet të parandalojnë dhe menaxhojnë konfliktet në shkolla.
“Gjithë ai buxhet për kamera inteligjente, në një kohë kur është implementuar pa konsultim më prindërit, ngre shqetësimin për transparencë. Kjo shumë që po zbatohet është marramendëse dhe mund të përdorej për rritjen e cilësisë së arsimit. Të kenë pranë njerëz si psikologë, jo kamera monitoruese” shprehet avokati.
Ai vë në pikëpyetje edhe sigurinë e të dhënave personale, duke kërkuar transparencë mbi mënyrën se si ato ruhen dhe mbi përgjegjësinë e kompanisë që menaxhon sistemin.
“Në mungesë të transparencës, kam të drejtë të ngre çdo dyshim mbi atë që ka ndodhur në vendin tonë. Dolën të dhënat, nuk pati asnjë të vënë para përgjegjësisë” thekson ai.
Sipas Serjanit, kamerat nuk mund të zëvendësojnë kapacitetet njerëzore dhe institucionale për të parandaluar dhunën apo për të menaxhuar konfliktet mes nxënësve. Duke iu referuar edhe rastit të Martin Canit, ai argumenton se parandalimi i ngjarjeve të rënda kërkon ndërhyrjen e strukturave përgjegjëse dhe përfshirjen e prindërve.
“Në momentin që ke mungesë të strukturave, s’ke kapacitetin për ta parandaluar, nuk është kamera që mund ta bëjë. Ne kemi kamerën, por kush do të jetë struktura që do të ndërhyjë për menaxhimin e konfliktit?” ngre si shqetësim avokati.
Ai paralajmëron gjithashtu se përdorimi i teknologjive të monitorimit në shkolla duhet të shoqërohet me garanci të qarta ligjore për mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve, ndërsa kërkon sqarime për bazën ligjore të projektit dhe përgjegjësitë në rast të keqpërdorimit të të dhënave.
Qendra Alert/Alert.al


