Shqipëria po përballet me një ritëm të shtrenjtimit të ushqimeve dukshëm më të lartë se pjesa tjetër e Europës. Në tetor 2026, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rritën me 4.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, një nivel rreth pesë herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, ku rritja ishte vetëm 0.8%.
Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria renditet ndër vendet me rritjen më të lartë të çmimeve ushqimore në Europë, pas Turqisë dhe Qipros. Në rastin e Turqisë, shtrenjtimi lidhet me një krizë të vazhdueshme inflacioniste, ndërsa Qipro, si vend ishullor, përballet edhe me kosto më të larta të furnizimit. Por për Shqipërinë, ku fuqia blerëse mbetet e ulët dhe varfëria është ndër problemet më të theksuara sociale, rritja e çmimeve të produkteve bazë rëndon drejtpërdrejt buxhetet familjare.
Presioni mbi konsumatorët shqiptarë është edhe më i dukshëm në krahasim me vendet e rajonit. Mali i Zi regjistroi një rritje vjetore të çmimeve ushqimore prej 3.9%, Kosova 3.1%, Maqedonia e Veriut 2% dhe Serbia 1.5%. Shqipëria kryeson kështu edhe në Ballkanin Perëndimor për ritmin e shtrenjtimit të ushqimeve, duke lënë pas të gjitha vendet e rajonit.
Brenda Bashkimit Europian, pas Qipros, rritjet më të larta u regjistruan në Itali me 2.9%, Rumani me 2.7% dhe Finlandë me 2.6%. Në të kundërt, në 11 nga 27 vendet anëtare ushqimet dhe pijet joalkoolike kushtuan më pak se një vit më parë. Uljet më të ndjeshme u shënuan në Suedi me 6.6%, Letoni me 5.3% dhe Çeki me 4.3%. Kjo diferencë tregon se, ndërsa në një pjesë të mirë të Europës çmimet po stabilizohen apo edhe po bien, në Shqipëri kostoja e ushqimeve vazhdon të rritet me ritme të larta.
Të dhënat e detajuara për Shqipërinë tregojnë se shtrenjtimi nuk ka prekur të gjitha kategoritë në të njëjtën masë. Rritjet më të forta janë regjistruar te produktet që zënë një vend të rëndësishëm në konsumin e përditshëm. Peshku dhe produktet e tjera të detit u shtrenjtuan me 9.9%, ndërsa perimet, zhardhokët dhe bishtajoret me 9.4%. Në të dyja rastet, rritja ishte më shumë se dyfishi i mesatares së shtrenjtimit të ushqimeve.
Edhe produktet e tjera shënuan rritje të konsiderueshme. Mishi u shtrenjtua me 4.6%, vajrat dhe yndyrnat me 4.2%, ndërsa frutat me 3.7%. Rritje më të moderuar patën bulmeti dhe vezët, me 2.5%, si dhe drithërat dhe produktet e tyre, me 0.9%.
Shtrenjtimi i perimeve përbën një shqetësim të veçantë për familjet shqiptare, pasi kjo kategori zë një peshë të konsiderueshme në shpenzimet e tyre mujore. Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes të INSTAT-it, në vitin 2025 perimet përbënin rreth një të pestën e shpenzimeve për ushqime dhe pije joalkoolike. Ndërkohë, i gjithë grupi i ushqimeve dhe pijeve zinte 39.8% të buxhetit mujor të konsumit. Kjo do të thotë se çdo rritje e çmimeve në këtë kategori përkthehet drejtpërdrejt në më pak të ardhura të disponueshme për nevojat e tjera të familjeve.
Presioni i çmimeve te perimet ishte i dukshëm edhe përpara muajit tetor. Sipas Bankës së Shqipërisë, kontributi i tyre në inflacionin e përgjithshëm u rrit nga 0.2 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë, në 0.5 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të këtij viti. Në të njëjtën kohë, prodhimi bujqësor vendas ishte tkurrur me 2.3% në tremujorin e dytë, duke shtuar pikëpyetjet mbi kapacitetin e prodhimit vendas për të përballuar kërkesën e tregut.
Varësia nga importet mbetet një tjetër faktor që ekspozon tregun shqiptar ndaj luhatjeve të çmimeve. Në dhjetë muajt e parë të vitit, Shqipëria importoi 142.3 miliardë lekë ushqime, pije dhe duhan, një vlerë gati trefish më e lartë se eksportet e të njëjtit grup. Ky raport nxjerr në pah hendekun mes prodhimit vendas dhe nevojave të konsumit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e furnizimit varet nga tregjet e huaja.
Në tregjet ndërkombëtare, indeksi i çmimeve të ushqimeve i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) ishte 5.9% më i lartë se një vit më parë. Megjithatë, ritmi i rritjes në Shqipëri mbetet dukshëm më i lartë se mesatarja europiane, çka tregon se presioni mbi çmimet nuk mund t’i atribuohet vetëm zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare.
Në këtë situatë, qeveria shqiptare po përgatit si masë lehtësuese uljen e TVSH-së për një sërë produktesh të shportës, nga 20% në 6%, me synimin për të ulur koston e ushqimeve bazë. Masa pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm. Mbetet për t’u parë nëse ky lehtësim fiskal do të reflektohet realisht në çmimet që paguajnë konsumatorët apo nëse do të përthithet pjesërisht nga hallkat e zinxhirit të tregtimit.
Për familjet shqiptare, sfida nuk është më vetëm përballimi i rritjes së përgjithshme të kostos së jetesës, por edhe fakti se produktet e përditshme po shtrenjtohen me ritme shumë më të larta se në Europë, në një ekonomi ku të ardhurat nuk ecin me të njëjtin hap.
Qendra Alert/Alert.al


