I ftuar në emisionin “Alert” në News24 zv.kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë Isa Halilaj, kundërshton mënyrën e zbatimit të sistemit “Smart City” në shkolla, duke ngritur shqetësime për privatësinë e fëmijëve, mungesën e konsultimit me prindërit dhe stafet arsimore, si dhe nevojën për më shumë investime në arsim. Sipas tij, siguria nuk mund të ndërtohet përmes mbikëqyrjes së vazhdueshme, ndërsa problemet e shkollave kërkojnë politika sociale, mbështetje psikologjike dhe përmirësim të cilësisë së mësimdhënies.
Vendosja e kamerave inteligjente në shkolla, në kuadër të projektit Smart City, po ngre pikëpyetje jo vetëm për sigurinë e nxënësve, por edhe për mënyrën se si institucionet po ndërhyjnë në jetën e përditshme të fëmijëve. Për Z.Halilaj, kjo nismë nuk adreson problemet thelbësore të sistemit arsimor dhe rrezikon ta kthejë shkollën nga një hapësirë edukimi në një mjedis të mbikëqyrur.
“Problemet në shkolla nuk zgjidhen vetëm duke vendosur kamera. Kemi probleme me familjet që përballen me vështirësi sociale dhe nuk kemi sistemin e duhur që qeveria të ngrejë politika për kategoritë e caktuara. Mund të investohej në rritjen e cilësisë së arsimit, në raport me rajonin, ku ne kemi një buxhet shumë të ulët” argumenton Halilaj.
Sipas tij, shkollat kanë struktura të tjera që duhet të garantojnë sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve, si oficerët e sigurisë, psikologët dhe drejtuesit e institucioneve arsimore. Në këtë kontekst, ai vë në pikëpyetje nevojën për shtimin e sistemeve të monitorimit pa një analizë të qartë të problemeve që synojnë të zgjidhin.
“Kemi oficerinë e sigurisë, psikologët, punonjësit socialë dhe drejtuesit e shkollave. Kjo bëhet më shumë për show sesa për t’i shërbyer shkollës. Kjo nuk i shërben sistemit të arsimit sepse kemi hallka të tjera që duhet të funksionojnë” thotë ai.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga Halilaj lidhet me mungesën e konsultimit me prindërit dhe mësuesit përpara zbatimit të projektit. Sipas tij, nuk është kërkuar miratimi i prindërve dhe nuk janë zhvilluar studime apo konsultime të mjaftueshme për të vlerësuar ndikimin e sistemit te fëmijët.
“Asnjë prindi nuk i është marrë konfirmimi, firma, nëse është dakord. Nuk janë bërë studime dhe nuk është marrë mendimi i mësuesve për këto raste. Është e ngutshme” shprehet Halilaj.
Ai ngre gjithashtu pikëpyetje për mënyrën se si do të organizohet siguria në shkolla dhe për rolin e strukturave ekzistuese, nëse kamerat inteligjente do të përdoren si një mekanizëm shtesë monitorimi.
“Nëse vendosin kamera, pse taksapaguesit paguajnë oficerin e sigurisë, rojën?” pyet ai, duke theksuar se sistemi arsimor nuk mund të trajtohet thjesht si një hapësirë ku çdo veprim duhet të kontrollohet.
Për Halilajn, çështja shkon përtej teknologjisë dhe lidhet drejtpërdrejt me të drejtat e fëmijëve dhe privatësinë e tyre. Ai argumenton se shkolla duhet të jetë një mjedis ku nxënësit edukohen, zhvillojnë aftësitë sociale dhe mësojnë të ndërveprojnë, jo një hapësirë ku rriten nën vëzhgimin e vazhdueshëm të kamerave.
“Shkolla është vend edukimi. Nuk i shërben një qyteti normal survejimi i një fëmije. Po rrisim fëmijë nën hijen e kamerave” shprehet ai.
Duke iu referuar mbrojtjes së privatësisë, Halilaj sjell si shembull nevojën për miratim nga prindërit edhe në rastet kur bëhen fotografi të fëmijëve, duke argumentuar se edhe përdorimi i kamerave duhet të shoqërohet me garanci të qarta dhe transparencë.
Në vlerësimin e tij, problemet e sigurisë në shkolla nuk mund të zgjidhen vetëm përmes kontrollit teknologjik. Halilaj thekson se dhuna mes nxënësve lidhet edhe me mungesën e socializimit dhe nevojën për një shkollë më të hapur, që krijon hapësira për zhvillimin e fëmijëve.
“Kemi probleme me fushën e edukimit, kemi fëmijë që nuk janë të socializuar dhe ndaj vjen dhuna. Kemi nevojë që ta europianizojmë shkollën, ta hapim shkollën” thotë ai.
Pas katër dekadash në sistemin arsimor, Halilaj shprehet se nuk dëshiron që fëmijët të rriten në një mjedis ku mbikëqyrja bëhet pjesë e përditshmërisë së tyre. Sipas tij, vëmendja e institucioneve duhet të përqendrohet te përmirësimi i arsimit dhe te investimet që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e mësimdhënies.
“Kam 40 vite në sistemin arsimor. Nuk dua që fëmija im të rritet i kontrolluar me kamera” deklaron ai.
Halilaj ngre shqetësime edhe për nivelin e financimit të arsimit, duke theksuar se Shqipëria mbetet larg vendeve të Bashkimit Europian për sa i përket investimeve në këtë sektor. Ai paralajmëron gjithashtu vështirësitë që mund të përballet sistemi në vitet e ardhshme për shkak të pagave dhe kushteve të punës së mësuesve.
Qendra Alert/Alert.al


