I ftuar në emisionin “Alert” në News24, eksperti i IT-së Edmond Liçaj shprehet se projekti “Smart City” në shkolla, ashu si modele të tjera prezantohen në mungesë të konsultimit me qytetarët, të cilët e shohin vetëm pasi implementohet.
“Pas 10 vitesh po shohim prezantim ndryshe të të njëjtit problem. Çështjet e sigurisë serviren me të njëjtin qëllim. Jetojmë në dy realitete në fushën e sigurisë, në shëndetësi, shkollë etj. Realiteti që iu serviret përmes politikës dhe medias. Çdo projekt nga çdo qeveri, kemi qenë unanimë kundër. Ne nuk pyetemi, thjesht e shohim kur implementohet. Kur shohim se konsultimi publik nuk ekziston, asnjë qytetar nuk e di në çfarë rruge është shtëpia” thotë ai.
Duke u ndalur te kamerat inteligjente në shkolla, Liçaj thotë se kostoja e lartë është vetëm faza e parë e implementimit. “Kamera në shkolla, përveç çështjes ekonomike, ne nuk kemi siguri jashtë shkolle. Konfliktet janë banale, të çastit. Ja kanë bashkëngjitur me kamerat e sigurisë rrugore, radarët. Ky projekt është faza e parë e implementimit” shprehet eksperti.
Sa i përket monitorimit përmes kamerave me inteligjencë artificiale, Liçaj sqaron se kamerat monitorojnë sjelljet e fëmijëve. “Nuk evidentojnë pjesën metalike nëse janë të pajisur me armë. Një nga elementet e ndryshëm nga kamerat e zakonshme është se monitorojnë dhe ndjekin sjelljet, menaxhojnë sjelljet” thekson Liçaj.
Liçaj sjell në vëmendje edhe kostot e projektit, duke argumentuar se fondet mund të orientoheshin drejt investimeve të tjera në arsim. “Një kamerë në shkollë kushton sa një laborator i teknologjisë së fundit” thotë eksperti.
Duke iu referuar përdorimit të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, ai paralajmëron për rrezikun e profilizimit të qytetarëve. Duke iu referuar bllokimit të TikTok-ut, ai pretendon se procesi ka shërbyer për profilizimin e qytetarëve dhe ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si përdoren të dhënat e mbledhura.
“E gjithë popullata është profilizuar për një vit rresht për mbylljen e TikTok-ut. Ka bërë profilizimin e çdo qytetari” nënvizon ai.
Sipas ekspertit, mungesa e transparencës mbi mbledhjen, ruajtjen dhe përdorimin e të dhënave e shton rrezikun që teknologjia të përdoret përtej qëllimit të deklaruar. Ai shpreh shqetësimin se centralizimi i sistemeve dhe përdorimi i inteligjencës artificiale mund të krijojnë mundësi për profilizimin e individëve.
“Çdo qytetar është monitoruar, ishte proces i fshehtë. Të dhënat janë profilizuar, nuk e dimë kush i përdor. Te ne u dhurua, çdo gjë u bë në fshehtësi dhe askush nuk tha më shumë. Gjërat ndodhin shumë shpejt. Rreziku më i madh i inteligjencës artificiale është profilizimi i fëmijës. Qeveria ka bërë centralizimin që çdo gjë të shkojë në një pikë” përfundon Liçaj.
Qendra Alert/Alert.al


