Zbatimi i projektit “Smart City” në shkolla, përmes kamerave inteligjente po ngre pikëpyetje jo vetëm për efektivitetin e masave të sigurisë, por edhe për transparencën, mbrojtjen e të dhënave personale dhe përgjegjësinë e institucioneve. I ftuar në emisionin “Alert” në News24, Kolindo Vjerdha nga Qëndresa Qytetare vlerëson se teknologjia nuk mund të shihet si zgjidhje e vetme, për sa kohë që mbeten të pazgjidhura problematika që lidhen me mungesën e koordinimit, përgjegjshmërinë institucionale dhe burimet e kufizuara financiare.
Duke iu referuar ngjarjes së Martin Canit dhe debatit për rritjen e sigurisë në shkolla, Vjerdha kujton se kërkesat për masa më të forta sigurie u shoqëruan edhe me vendimin për mbylljen e TikTok-ut. Vjerdha nënvizon se shkollat kanë pasur edhe më parë kamera, përmes të cilave drejtuesit mund të kontrollonin lëvizjet e stafit dhe situatat brenda ambienteve shkollore. Megjithatë, kalimi drejt sistemeve inteligjente të monitorimit kërkon më shumë qartësi për mënyrën e zbatimit dhe funksionimit të tyre.
“Sa herë kemi të bëjmë me zhvillime teknologjike, kemi frikë se si do të implementohen” shprehet Vjerdha, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si do të përdoret inteligjenca artificiale në monitorimin e nxënësve dhe stafit akademik.
Sipas tij, përdorimi i teknologjisë për të përpunuar informacionin ndryshon mënyrën se si realizohet monitorimi në shkolla. Nëse deri më tani një pjesë e këtij procesi mbështetej te personeli përgjegjës, me sistemin e ri një rol të rëndësishëm do ta marrë inteligjenca artificiale. Por, kjo nuk e shmang nevojën për të përcaktuar qartë se kush e administron informacionin, kush ka akses në të dhe cilat janë kufijtë e përdorimit të tij.
“Ne nuk kemi transparencë dhe kemi dyshime” thekson Vjerdha, duke nënvizuar se monitorimi i nxënësve dhe mësuesve duhet të shoqërohet me rregulla të qarta ligjore për kufijtë e mbikëqyrjes dhe mbrojtjen e privatësisë.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me sigurinë e të dhënave dhe mundësinë e keqpërdorimit të tyre. Vjerdha ngre pyetjen se çfarë do të ndodhë nëse kompania përgjegjëse për sistemin i nxjerr ose i përdor të dhënat e qytetarëve në mënyrë të papërshtatshme. Sipas tij, duhet të jetë e qartë se cilat mekanizma ligjorë do të garantojnë mbrojtjen e informacionit dhe kush do të mbajë përgjegjësi në rast shkeljesh.
“Ne nuk kemi informacion të kontratës. Ministritë përkatëse nuk e kanë bërë transparent lidhjen e kontratës, kush do të jetë përgjegjës dhe detyrimet e palëve” shprehet Vjerdha, duke e konsideruar mungesën e informacionit si një ndër problemet kryesore të projektit.
Për ekspertin, paqartësia mbi kontratën, përgjegjësitë dhe mënyrën e menaxhimit të sistemit ushqen mosbesimin te institucionet dhe ngre pikëpyetje nëse projekti do të zbatohet në interes të sigurisë së nxënësve apo do të krijojë problematika të reja.
Vjerdha thekson se problematikat e sigurisë në shkolla nuk kufizohen vetëm te mungesa e monitorimit. Konfliktet mes nxënësve, mungesa e përgjegjshmërisë dhe koordinimi i dobët mes aktorëve kanë ndikuar në krijimin e situatave të rrezikshme, ndërsa disa ngjarje kanë ndodhur edhe jashtë ambienteve shkollore.
Sipas tij, rritja e numrit të oficerëve të sigurisë në shkolla është një hap pozitiv, por efektiviteti i kësaj mase do të mund të vlerësohet vetëm me kalimin e kohës. Ai kujton se diskutimet për sigurinë janë shoqëruar edhe me propozime për shtimin e orëve mësimore dhe futjen e ushqimit në shkolla, si pjesë e një qasje më të gjerë.
Vjerdha ngre gjithashtu shqetësimin se, në kushtet e një buxheti të kufizuar, çdo ndërhyrje duhet të mbështetet në prioritete të qarta dhe në një vlerësim të nevojave reale të sistemit arsimor. Sipas tij, teknologjia mund të ndihmojë në identifikimin e situatave problematike, por nuk zëvendëson domosdoshmërisht strukturat e tjera mbështetëse dhe politikat që synojnë parandalimin e konflikteve.
Në këtë kontekst, Vjerdha vlerëson se institucionet duhet të informojnë publikun për mënyrën e funksionimit të projektit, kufijtë e monitorimit dhe garancitë për mbrojtjen e të dhënave. Pa këto sqarime, mbetet e paqartë se si do të administrohet informacioni dhe cilat do të jenë mekanizmat e kontrollit mbi përdorimin e tij.
“Mungesa e transparencës e karakterizon qeverinë. E gjithë kjo tymnajë vjen për shkak të mungesës së transparencës” përfundon Vjerdha, duke kërkuar më shumë informacion për mënyrën e zbatimit të projektit “Smart City” dhe përgjegjësitë e institucioneve e kompanive të përfshira.
Qendra Alert/Alert.al


