Menu

“Sot e vjelim, nesër kalbet”, fermerët në hall me farën e keqe të domates

Kutullia në bashkinë e Dimalit në Berat njihet për prodhimin e domatës, por mesa duket këtë vit ka dështuar. Farërat jo cilësore po çojnë fermerët drejt falimentimit, teksa domatet e vjelura nuk rezistojnë më shumë se 24 orë. Kjo ka bërë që i gjithë prodhimi i vjelë nga fermerët të hidhet në plehra, nëse nuk gjen treg brenda ditës për ta shitur. Kjo gjendje është mjaft shqetësuese për fermerët, pasi thuajse 70% e tyre kanë marrë kredi në bankë për të siguruar prodhimin në sera, duke filluar nga blerja e farës, helmet, plehrat kimike e deri tek shërbimet që i duhen prodhimit deri në pjekjen e tij të plotë. Fermerët kërkojnë zgjidhje dhe dëmshperblim nga shteti, pasi ata shprehen se e kanë paguar rregullisht çmimin e fares, e cila ka rezultuar pa cilësi dhe se askush nuk mban përgjegjësi. Banorët i kërkojnë shtetit të ndërhyjë, si i vetmi institucion që ka të drejtën dhe detyrimin të kontrollojë këtë abuzim me shitjen e farave të skaduara, pasi humbjet kanë qënë kolosale për ta. Zona e Kutallisë ka 700 hektarë sera. Ajo njihet për prodhimin e domates së cilesisë së parë e cila deri këtë vit është përdorur për eksport në Ballkan dhe më gjerë.

“Është skandal, farën e kemi blerë me lekë në dorë dhe me të njëjtin çmim si çdo farë tjetër, por prodhimi nuk rron më shumë se një ditë. Sot e vjelim nesër kalbet. Ai që ka sjellë farën nuk mban asnjë përgjegjësi, ne po falimentojmë”-shpehen fermerët e zonës së Kutallisë. (Nga Eneida Petova)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts