Menu

eksperte e pasurive të paluajtshme; Rajmond Dervishi

Në “Alert”: Rivlerësimi i pronave, ekspertët: Lehtësi fiskale për shitësit, jo ulje çmimesh në treg

Ligji i ri për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme ka rikthyer në vëmendje debatin mbi çmimet e tregut imobiliar dhe barrën fiskale të pronarëve. I ftuar në emisionin Alert në Ora News, paneli i ekspertëve analizoi ndikimin real të kësaj mase dhe pritshmëritë e qytetarëve.

Sipas konsulentes imobiliare Anisa Musta, rivlerësimi duhet parë si një mekanizëm që lehtëson taksimin për ata që vendosin të shesin pronën gjatë këtij viti, por jo si një instrument që do të ulë çmimet në treg. Ajo theksoi se çmimet reale të transaksioneve shpesh nuk përputhen me çmimet e referencës zyrtare dhe se diferenca e kursyer në tatim nuk është e mjaftueshme për të ndikuar në mënyrë domethënëse në nivelin e përgjithshëm të çmimeve. Sipas saj, efekti mund të ndjehet më shumë te pronat e vjetra, por jo te segmenti dominues i tregut, ai i ndërtimeve të reja.

Nga ana tjetër, ekspertja e pasurive të paluajtshme Xheni Poçari e vlerësoi rivlerësimin si një hap pozitiv në formalizimin e tregut. Ajo nënvizoi se procesi është vullnetar dhe u jep mundësi pronarëve të përditësojnë vlerën zyrtare të pronës sipas tregut aktual. Kjo, sipas saj, rrit potencialin e pronës për t’u përdorur si kolateral në bankë dhe krijon më shumë hapësirë për investime apo transaksione të ardhshme.

Ndërkohë, eksperti Rajmond Dervishi shpjegoi në detaje procedurën e rivlerësimit. Ai sqaroi se pronarët mund të zgjedhin mes dy metodave: përdorimit të çmimit të referencës sipas zonës ose përmes një eksperti të licencuar që harton raport vlerësimi bazuar në çmimet reale të tregut. Pas depozitimit të dokumentacionit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, përllogaritet diferenca mes vlerës së mëparshme dhe asaj të re, mbi të cilën aplikohet tatimi 5%.

Në përfundim, ekspertët ranë dakord se masa krijon një mundësi konkrete për ata që planifikojnë të shesin pronën brenda afatit të përcaktuar, por nuk përbën një ndërhyrje strukturore që ndryshon balancën e kërkesë-ofertës në tregun e pasurive të paluajtshme. Për qytetarët që presin ulje çmimesh, mesazhi ishte i qartë: rivlerësimi ndikon në aspektin fiskal, jo në çmimformim.

Ligji i ri për rivlerësimin e pronave, Poçari: Zgjedhje vullnetare që rrit vlerën e pronave dhe lehtëson detyrimet fiskale

Një ndryshim i ri ligjor po ofron një mundësi të rëndësishme për të gjithë pronarët e pasurive të paluajtshme në Shqipëri.

 

Ligji për rivlerësimin e pasurive lejon përditësimin e vlerës së tyre sipas çmimeve aktuale të tregut, duke sjellë me vete një lehtësim të ndjeshëm të detyrimeve fiskale.

 

Për të folur më shumë rreth kësaj teme, e ftuar në emisionin “Alert”, në “Ora news”, ishte Xheni Poçari, eksperte e pasurive të paluajtshme.

“Patjetër që është një një ligj që është vullnetar, në formatin që klientët dhe individët mund të mund të zgjedhin nëse duan që ta aplikojnë apo jo në pronat e tyre, por që ka efekte shumë të mira në trajtimin e pronave dhe në rregullimin e tregut.

 

Sepse duke qenë se është hapur rivlerësimi, kemi mundësinë që t’i japim çdo prone vlerën aktuale të tregut.

Pra, të rrisim pjesën e çmimit me të cilën shteti vlerëson pronën.

 

Nesër, pasnesër, kjo pronë mund të lihet kolateral në bankë dhe për secilin nga individët që duan të investojnë apo duan ta shesin pronën, ka një vlerë më të lartë në në treg.

Deri në kolapse ekonomike, domethënë, gjithmonë ka qenë në rritje vlera e pronave”, u shpreh Poçari.

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, Dervishi shpjegon hap pas hapi procedurën

Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme ofron një mundësi për qytetarët që të përditësojnë vlerën e pronave të tyre duke paguar një tatim lehtësues prej 5% mbi diferencën e vlerës.

 

Megjithatë, mënyra se si kryhet ky proces përcakton nëse ky tatim do të paguhet vetëm një herë apo nëse pronarët rrezikojnë një taksim të dytë në të ardhmen.

Për të folur më shumë për këtë temë, i ftuar në emisionin “Alert”, në “Ora News”, ishte eksperti i pasurive të paluajtshme, Rajmond Dervishi.

“Ka dy metoda për rivlerësimin që janë përcaktuar në këtë udhëzim. 

Njëra që është çmimi i referencës, që atë nuk e luajmë, janë të përcaktuara me zona, ku Tirana i ka pak më të rregulluar se zonat e tjera sepse është zona që ka edhe atë tregun më të madh të pasurive të paluajtshme.

Ndërsa të tjerët janë formale dhe metoda e dytë është me një ekspert privat të licensuar, që është i licensuar në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme, sipas tipologjisë së ndërtesës.

Kemi tre kategori vlerësuesish, kemi për toka, për toka troje dhe ndërtesa, për toka bujqësore dhe për linja teknologjike dhe dhe pajisje.

E bën me këtë ekspertin e licensuar. Eksperti në bazë të çmimeve të tregut real që ka investiguar, si nëpërmjet agjencive imobiliare, që janë çmimet më reale, se kërkesë-oferta aty përcaktohet nga tregu real që janë agjencitë imobiliare. Aty janë çmimet e vërteta.

 

Janë me plus-minus diferenca të vogla që negociohet midis palëve. Pra bëhet me një vlerësues që bën një raport vlerësimi të vulosur dhe të firmosur dhe e depoziton pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nëpërmjet portalit e-Albania.

 

Aty pastaj nëpërmjet një formulari që e kanë punonjësit e brendshëm, bëjnë këtë diferencën e çmimit.

Marrin këtë çmimin që ka nxjerrë vlerësuesi nga investigimi i tregut, të çmimin real të zonës, i zbresin atë vlerën fillestare që ka pasuria, qoftë nga blerja e mëparshme, qoftë nga privatizimi, qoftë nga çdo lloj transaksioni që ka ardhur origjina e asaj pasurie, i bën atë diferencën e çmimit dhe i nxjerr vlerën 5% që duhet paguar”, u shpreh Dervishi.

Ligji i ri për rivlerësimin e pronave/ Musta: Mos prisni ulje çmimesh, ja kush përfiton realisht

Qeveria ka hapur sërish procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, duke u dhënë qytetarëve mundësinë që deri në fund të vitit të përditësojnë vlerën e pronës së tyre me një taksë preferenciale.

 

Por a do të sjellë ky ligj një ulje të shumëpritur të çmimeve në tregun imobiliar? 

Për të folur më tepër rreth kësaj teme, e ftuar në emisionin “Alert” në “Ora News”, ishte Anisa Musta, konsultente imobiliare.

“Patjetër mendoj që është rregullator për tregun dhe do ketë një farë ndikimi, sidomos për pronat, pallatet ekzistuese që i themi ne, pra pallatet shumë të vjetra, që do t’i çojë drejt asaj vlerës reale që ato kanë, po nuk duhet të harrojmë diçka.

 

Së pari, vetë çmimi i referencës zyrtar që neve kemi, me të cilin i trajtojmë pronat sot, të jemi të drejtpërdrejtë e të sinqertë, ne e dimë shumë mirë që nuk është çmimi real i i atyre pronave.

Pra, ai çmim me të cilin pronat shitet, nuk është, çmimi ligjor nuk është çmimi real që neve i shesim, i transaksioneve që që realizohen.

Kështu që, për ata që presin, nuk e di, ulje çmimesh apo ndonjë ndryshim kolosal në tregun e pasurive të paluajtshme nga ky ligj, unë besoj që nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh.

Me fjalë të thjeshta, unë mendoj që thjesht kemi disa pronarë që do shesin këtë vit pronat edhe në qoftë se më përpara kanë paguar 15,000 euro, 20,000 euro, do paguajnë më pak.

Por nuk është se do ketë ndonjë ndikim shumë të madh te pjesa e uljes së çmimeve, sepse nuk mund të presim që një diferencë aq e vogël, pra në qoftë se pronari do negociojë pak në çmimin e pronës që do ta shesë sepse po paguan një taksë më të ulët, kjo nuk ndikon në të gjithë tregun e pasurive të paluajtshme.

 

Mund të ndikojë deri diku te pronat që janë mbi 20 vite, ato të vjetra, po te pronat e reja që janë edhe shumica e transaksioneve që ne bëjmë çdo ditë në treg, nuk besoj se do ketë ndonjë ndikim të madh.

Ajo që unë mendoj që do kishte një ndikim edhe do ta ndryshonte tregun, do të ndihmonte atë që është më e rëndësishme, familjet shqiptare që ta kenë më të lehtë që të blejnë një pronë, do të ishte të punohet me çmimin e referencave.

Të rritet çmimi i referencës, të shkojë në vlerën që realisht tregu ka sot dhe me të cilën ne shesim sot, që në këtë mënyrë të ndihmojmë pjesën e kreditimit.

Pra ajo është ajo që unë mendoj që do të ndikonte më tepër në në treg sesa kjo.

Kjo është thjesht një lehtësi le të themi, për këtë periudhë deri në dhjetor, që nuk është periudhë shumë shumë e gjatë se 10 muaj janë, për ata që shesin prona gjatë kësaj periudhe ose ata që do mendojnë ta shesin pronën një ditë.

 

 

Është vullnetare, por nga sa kam parë unë në treg ose me transaksionet që unë punoj çdo ditë, këtë po e përfitojnë vetëm ata që thjesht kanë vendosur të shesin pronën e tyre gjatë këtij viti, do paguajnë 10% më pak.

Nuk është se do ketë ndonjë ndikim shumë të madh, sidomos te pjesa e çmimeve dhe asaj të shumëpriturës uljes së çmimeve”, u shpreh Musta.