Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, dhe Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, zhvilluan një inspektim në Pikën e Inspektimit Kufitar në Portin e Durrësit, duke vendosur theksin te forcimi i kontrolleve për produktet që hyjnë në Shqipëri. Kjo pikë mbetet nyja kryesore e importeve, ku përpunohet deri në 47% e mallrave që hyjnë në vend, përfshirë edhe tranzitin drejt Kosovës.
Gjatë inspektimit, u theksua se çdo ngarkesë i nënshtrohet kontrollit të plotë përpara hyrjes në treg, përmes verifikimit të dokumentacionit, kontrollit fizik dhe analizave të bazuara në risk. Autoritetet bëjnë me dije se importuesit janë të detyruar të njoftojnë paraprakisht ngarkesat, ndërsa mostrat merren sipas nevojës për analiza laboratorike.
Qeveria ka nisur modernizimin e pesë Pikave të Inspektimit Kufitar në Durrës, Vlorë, Kapshticë, Kakavijë dhe Qafë Thanë, me qëllim rritjen e standardeve të kontrollit dhe garantimin e cilësisë së produkteve si në import ashtu edhe në eksport. Investimet në infrastrukturë dhe laboratorë, të mbështetura nga partnerë ndërkombëtarë, kanë rritur kapacitetet për analiza dhe monitorim sipas standardeve të Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, theksoi se bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit, AKU-së dhe doganave është kyç për të parandaluar hyrjen e produkteve të rrezikshme dhe për të goditur kontrabandën në tregtinë ushqimore. Sipas tij, këto masa synojnë jo vetëm mbrojtjen e konsumatorëve, por edhe forcimin e ekonomisë dhe rritjen e besimit në treg.