Në emisionin “Alert” të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, mjekët Dr. Novrus Çaushaj, mjek kardiolog, dhe Dr. Suela Xhufi, mjeke toksikologe, theksuan rreziqet e mëdha që sjell kombinimi i alkoolit me pijet energjetike dhe substanca të tjera për shëndetin e individëve.
Dr. Çaushaj shpjegoi se kombinimi i alkoolit me pijet energjetike është jashtëzakonisht i rrezikshëm, pasi pijet energjetike përmbajnë substanca stimuluese që maskojnë efektet e alkoolit, duke bërë që individët të ndihen më të sigurt dhe të konsumojnë më shumë alkool. Ky kombinim mund të rritë rrezikun për dëme kardiovaskulare dhe efekte neurologjike, duke dëmtuar zemrën dhe trurin.
Dr. Xhufi përmendi gjithashtu se kombinimi i alkoolit me substanca të tjera, si qitro (limon) dhe bira me verë, mund të rritë nivelin e alkoolit në gjak, çka mund të sjellë pasoja të rënda për shëndetin, duke përfshirë dëmtimin e mëlçisë dhe komplikime të tjera.
Ata theksuan gjithashtu se kombinimi i alkoolit me duhanin është një tjetër praktikë e dëmshme, që mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në zemër dhe sistemin respirator.
