Menu

Tavan për interesat e kredive, qeveria çon projektligjin në Kuvend

Qytetarët mund të kenë një mbrojtje më të fortë nga kostot e larta të kredive dhe ofertat mashtruese. Qeveria ka depozituar në Kuvend projektligjin e ri për mbrojtjen e konsumatorit, i cili parashikon vendosjen e një tavani për interesat e kredive, më shumë transparencë në blerjet online dhe masa kundër praktikave të padrejta tregtare.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me kreditë konsumatore dhe ato për blerjen e banesave. Sipas projektligjit, do të përcaktohet një kufi maksimal për interesin, i cili do të llogaritet duke përfshirë edhe komisionet, tarifat dhe kostot e tjera që shoqërojnë kredinë. Kufiri do të përcaktohet nga Banka e Shqipërisë dhe ministria përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit. Kontratat që tejkalojnë kufirin e lejuar do të jenë të pavlefshme në pjesën që e tejkalon atë.

Projektligji parashikon gjithashtu ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit, e cila do të jetë organi përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të konsumatorëve në treg.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe tregtisë online, ku synohet të garantohet informim më i qartë përpara lidhjes së kontratave dhe të forcohet mbrojtja nga praktikat manipuluese në platformat digjitale.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu të drejtat e konsumatorëve në rastet kur produktet kanë mangësi, porositë vonohen ose tregtarët përdorin praktika të padrejta. Qëllimi është që qytetarët të kenë më shumë informacion përpara se të marrin vendime financiare apo të kryejnë blerje.

Nisma synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me rregullat e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e konsumatorëve. Megjithatë, efektet konkrete të masave do të varen nga mënyra se si do të përcaktohen kufijtë, si dhe nga zbatimi dhe kontrolli i rregullave të reja.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts