Menu

“Shpërthen” ndërtimi në Shqipëri, rritje 10 herë më e lartë se në BE

Ndërtimi në Shqipëri po ecën me ritme shumë më të shpejta se në pjesën më të madhe të Europës. Në vetëm katër vjet, aktiviteti real i sektorit është rritur me 36%, pothuajse 10 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian. Të dhënat e Eurostat tregojnë zgjerimin e fortë të këtij sektori pas vitit 2020, me një dallim të rëndësishëm: Në Shqipëri, rritja është nxitur kryesisht nga ndërtimi i banesave.

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, që matin vëllimin e vlerës së shtuar bruto në ndërtim me çmime të krahasueshme, me vitin 2020 të marrë si bazë 100, indeksi për Shqipërinë arriti në 136 në vitin 2024. Kjo do të thotë se aktiviteti real i sektorit ishte rreth 36% më i lartë se në vitin 2020.

Në terma vjetorë, zgjerimi më i fortë u shënua në dy vitet e para pas vitit 2020. Aktiviteti real i ndërtimit u rrit me rreth 9.5% në vitin 2021 dhe me 13.2% në vitin 2022. Më pas, ritmet u ngadalësuan, por mbetën pozitive, me rreth 5% në vitin 2023 dhe 4.5% në vitin 2024.

Rritje 10 herë më e lartë se në BE

Diferenca me Bashkimin Europian është e ndjeshme. Në BE, indeksi i vëllimit të vlerës së shtuar në ndërtim arriti në 103.8 në vitin 2024, që përkthehet në një rritje prej vetëm 3.8% krahasuar me vitin 2020. Kështu, zgjerimi i sektorit në Shqipëri gjatë periudhës 2020-2024 ishte pothuajse 10 herë më i lartë se mesatarja europiane.

Edhe në krahasim me pjesën më të madhe të vendeve të rajonit, Shqipëria shënon një nga rritjet më të forta. Në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020, aktiviteti i ndërtimit ishte rritur me rreth 23.2% në Serbi, 20% në Maqedoninë e Veriut, 18.8% në Bosnjë-Hercegovinë dhe 12.9% në Kosovë. Në Malin e Zi, përkundrazi, aktiviteti real ishte rreth 7% më i ulët se në vitin 2020.

Në rang europian, vetëm disa vende kanë shënuar një zgjerim më të fortë se Shqipëria. Në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020, vëllimi i ndërtimit ishte rritur me rreth 66.3% në Greqi, 63.9% në Kroaci dhe 51.4% në Itali. Me një rritje prej 36%, Shqipëria renditet mes vendeve me zgjerimin më të madh të sektorit.

Megjithatë, pas këtyre shifrave qëndrojnë edhe dallime në mënyrën se si është nxitur rritja. Në vende si Greqia, Kroacia dhe Italia, zgjerimi i sektorit lidhet kryesisht me investimet në infrastrukturë, ndërsa në Shqipëri është nxitur kryesisht nga ndërtimi i banesave.

Të dhënat tregojnë se ndërtimi ka qenë një nga sektorët me zgjerimin më të shpejtë në ekonominë shqiptare gjatë viteve të fundit. Edhe pse ritmet vjetore janë ngadalësuar pas rritjes së fortë të viteve 2021-2022, niveli real i aktivitetit në vitin 2024 mbetet më shumë se një e treta mbi atë të vitit 2020.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts