Menu

Vëzhgimi i “Alert”/ Trendi i markave të produkteve kozmetike të rrugës, ‘kurth’ për shëndetin e lëkurës dhe të xhepit. Ja çfarë duhet të keni kujdes

Nga Biora Vojka*

Trendi i kohëve ka qenë dhe mbetet bukuria, e thënë ndryshe të jesh gjithmonë i ri. Por, bukuria vjen edhe me një faturë të kripur nga ana shëndetësore dhe ajo ekonomike. Kryesisht femrat shndërrohen në klientë potencialë të një çante tualeti të mbushur, që nxjerr në pah tiparet e fytyrës, duke rënë kështu pre e tregut kozmetik të rrugës që disponon variacione produktesh të markave të shtrenjta. Në pamundësi ekonomike për të aksesuar produktet kozmetike me çmimin real të firmave që i sjellin në treg, shpesh bëhen edhe kompromise të rrezikshme me blerjen e imitimeve. Pasi nëse kërkon të përdorësh një produkt cilësor dhe të efektshëm fatura e tij është pak e kripur dhe jo gjithmonë e përballueshme.

Përgjatë një vëzhgimi të Qendrës “Alert” u vunë re tregje informale, apo tezga ku tregtohen kremra nga të gjitha llojet, buzëkuq, fondatina, rimel, penel, tone, parfume, manikyr, qerpikë, thonj etj. Përveçse mund t’i gjesh shumë lehtë, pasi gati në çdo rrugë të kryeqytetit, ato janë edhe shumë të lira. Çmimet e tyre variojnë nga 100 deri në 1200 lekë. Problemi i këtyre produkteve është se tregtohen në kushte të papërshtatshme dhe shpeshherë janë mallra të dyshimtë dhe pa vend origjine.

Oksidimi shkak për alergjizma

Dermatologia Blerta Gjoni  këshillon që të bëhet kujdes në përzgjedhjen e produkteve që shiten në kushte të papërshtatshme pasi mund të kthehet në rrezik serioz për trupin, sidomos në rastet kur produkti oksidohet. Aroma dhe ngjyra e një produkti kozmetik janë faktorë që duhen patur në vëmendje. Por duhet të theksoj që mbrojtja e oksidimit të lipideve tek kremerat është e rëndësishme, pasi shumë prej tyre kanë jetëgjatësi të kufizuar për shkak të oksidimit të eksponentëve, gjë që mund të rezultojë në ndryshimin e tyre dhe rrjedhimisht shkakton probleme të alergjizimit në fytyrë qafë e dekolte. Kjo problematikë mund të shfaqet, edhe pas disa ditësh të përdorimit të këtyre produkteve pa e kuptuar që në fillim, se nuk është ai i duhuri për tipin e lëkurës, moshës po ashtu edhe për problemet e lëkurës që zgjedhin për t’i përdorur, në mënyrë që t’i japin zgjidhje problemeve si : aknet, njollat në fytyrë, rrudhat e para tek syri apo mbulimi i këtyre probleme me kremra tinted ( me ngjyrë).

Mund të them që përbërësit më të ndjeshëm tek kremerat janë ingrendientët si retinoli, çaji jeshil, vitamina C dhe vajra të pangopura që oksidohen më shpejt, dhe nëse nuk mbahen në kushte të duhura përdorimi i tyre shkakton probleme të alergjive të formave nga më të lehta deri të moderuara me përhapje dhe sistemike të alergjisë në zonat e kyqeve të ekstremiteteve të trupit. Përveç këtyre mund të krijojnë edhe njolla hiperpigmentimi ose akne e folikulit . Kini kujdes kur serumi i vitamines C merr ngjyrë kafe të errët, pasi tregon se serumi i është oksiduar dhe nuk do të jetë aq efektiv dhe duhet të hidhet poshtë. Parandalimi i oksidimit të kremrave dhe serumeve të kujdesit të lëkurës bëhet në disa mënyra si:

 1-Të zgjidhni kremëra me përmasa më të vogla nëse nuk e përdorni produktin çdo ditë.

2-Ekspozimi ndaj dritës dhe ajrit mund të shkaktojë oksidim, ndaj mos harroni të mbyllni fortë paketimin.

3- T’i mbani ato në një vend të freskët. Ruajtja në një frigorifer specifik për kujdesin e lëkurës është më e mira që mund të bëni.

4-Shmangni vendosjen e tyre direkt sapo dilni në rrezet e diellit.

5-Një mënyrë tjetër, është të kërkoni produkte me formula të qëndrueshme të vitaminës C, si acidi etilik askorbik. Këto janë më pak të prirur ndaj oksidimit.

Njohja e shenjave kremrave dhe serumeve të oksiduar dhe marrja e masave parandaluese siguron që regjimi juaj i kujdesit të lëkurës të mbetet efektiv. Nëse vëreni prishje të ngjyrës, lëngëzim të kremrave, ndjarje të pjesëve në të ngurtë dhe të lëngshme, ose tharje të produktit, mos i injoroni ato!

Kurat e shtrenjta

Farmacistja Oltjana Miftari tregon për “Alert” se trajtimi i alergjive i shkaktuar nga produktet kozmetike varion nga 500-1200 kur përfshin vetëm krem për trajtim lokal dhe në gjendje më të rënduara kur arrin 2000-4000 trajtimi që ka domosdoshmëri edhe për medikamente orale. Ndër të tjera Miftari shpjegon se risku i produkteve kozmetike të lira që nuk kalojnë në asnjë rrjetë kontrolli, mbartin rrezik të madh, edhe sa i përket sasisë së duhur të përbërësve, si parabene, formaldehid, mërkur,arsenic etj,. të cilat mund të shkaktojnë dëmtime të përhershme në lëkurë  si: Tharje të lëkurës dhe plakje të parakohshme, akne dhe inflamacione të lëkurës. “Në farmaci më ka ndodhur shpesh të më vijnë pacientë, të cilët kanë pasur probleme dermatologjike të rënda nga produkte kozmetike, ndaj është e rëndësishme ndërgjegjësimi,por edhe kontrolli nga autoritetet përkatëse, që janë në zinxhirin fillestar të përgjegjësisë”, tha ajo.

Ligji për mbrojtjen e përdoruesve nga kozmetika zbatohet vetëm në letër

Ligji i ri nr. 26/2017 date 16.03.2017 “Për produktet kozmetike” përcakton kërkesat që duhet të përmbushë çdo produkt kozmetik i vendosur në treg me qëllim mbrojtjen e shëndetit të përdoruesve dhe garantimin e funksionimit të tregut të brendshëm. Por në praktikë , tezgat me produkte të pasigurta po cenojnë rëndë shëndetin e qytetarëve.

*Autorja e këtij shkrimi është gazetare me eksperiencë 5-vjeçare në media të shkruara dhe online. Aktualisht punon në Gazetën Telegraf.

 

** Ky publikim është prodhuar në kuadër të projektit “ALERT pë mbrojtjen e konsumatorit”, me mbështetjen e Programit #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës ALERT dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së ose të qeverisë gjermane.

Related Posts