Menu

Xhillari: Sigurimi i detyrueshëm po trajtohet si taksë, nuk mbulon interesat e qytetarëve

E ftuar në emisionin “Alert” të moderuar nga Granit Sokolaj, Venera Xhillari, Zv. Drejtoreshë e Përgjithshme e kompanisë së sigurimeve “Atlantik”, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me mënyrën se si po trajtohet sigurimi i detyrueshëm për banesat.

Sipas saj, në momentin që një sigurim kthehet në të detyrueshëm dhe parashikohet që pagesa të bëhet përmes një fondi të përcaktuar me ligj, i cili vendos se ku dhe si do bëhet pagesa, atëherë kjo nuk është më sigurim real, por taksë.

“Ky lloj sigurimi është shumë larg një produkti të mirëfilltë sigurimi. Në momentin që pagesa bëhet përmes faturave të energjisë, ujit apo përmes postës, qytetari nuk ka më interes për produkte të tjera vullnetare që janë më të plota dhe të dobishme, si sigurimi i banesës, përgjegjësia e kryefamiljarit apo produkte të tjera”, u shpreh Xhillari.

Ajo shtoi se në rast dëmi, qytetari duhet të dijë ku të drejtohet. “Nëse ke një policë sigurimi nga një kompani, kontakton direkt me të, njofton dhe kompania vjen me ekspertët, bën matjet dhe ndjek të gjithë procedurën. Por në këtë rast, ku do të drejtohet qytetari? Sidomos kur dëmet janë masive?”, theksoi Xhillari.

Zv. Drejtoresha e Atlantik theksoi se një tjetër problem është përfshirja e objekteve që nuk janë funksionale apo të banueshme, por gjithsesi përfshihen në skemën e sigurimit të detyrueshëm. “Ka objekte të legalizuara, por që janë të rrënuara, jashtë funksionit. Në këto raste mund të ketë edhe abuzime”, paralajmëroi ajo.

Sipas Xhillarit, ligji në formën aktuale nuk adreson problematikat reale dhe nuk mbron interesat e konsumatorit. “Qëllimi duhet të jetë mbrojtja nga të papriturat dhe rreziqet që po prekin jo vetëm Shqipërinë, por gjithë rajonin. Kjo skemë nuk e realizon këtë qëllim”, përfundoi ajo.

Related Posts