Menu

50 franga është “bonusi” për ata që bindin të tjerët të vaksinohen

Zvicra do të ofrojë një kupon me vlerë 50 franga për personat që bindin të tjerët për t’u vaksinuar kundër Covid-19. Kështu njoftoi qeveria zvicerane, e cila e mori këtë vendim si pjesë të përpjekjeve për ta rritur nivelin e ulët të vaksinimit në vend.

Secili person që vaksinohet do të deklarojë personin që e ka bindur për të marrë vaksinën dhe ky i fundit do të shpërblehet me një kupon në vlerën e 50 frangave, shkruan Reuters.

“Secili mund të ndihmojë për të bindur një mik, fqinj, koleg pune ose familjar për përfitimet që i sjell vaksinimi. Ky bashkëpunim i popullsisë duhet të shpërblehet”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Ndonëse numri i rasteve me Covid-19 në Zvicër ka rënë, qeveria ka thënë se gjendja në repartet e kujdesit intensiv mbetet e vështirë.

Zvicra është një ndër shtetet me shkallën më të ulët të vaksinimit në Evropën Perëndimore. Vetëm 58% e popullsisë prej 8.7 milionësh është vaksinuar me të dyja dozat. Qeveria ka ndarë 150 milionë franga për fushatën me kuponë dhe po planifikon një javë kombëtare të vaksinimit me 170 qendra për këtë qëllim. (Reuters)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts