Në “Alert” nga Granit Sokolaj, u trajtua çështja e cilësisë së qumështit dhe kontrolleve që kryhen mbi të. Drita Deçolli, inxhiniere e lartë dhe teknologe ushqimore, tha se nëse gjendet një nivel i lartë i heterobaktereve në qumësht, ai produkt duhet refuzuar nga fabrika. Sipas saj, kjo tregon për probleme me ujin që përdoret, si dhe me ushqimin e kafshëve, kryesisht silazhet. “Me këtë përqindje, qumështi nuk duhej pranuar në fabrikë, sepse fabrikat kryejnë kontrolle të parametrave fizikë dhe kimikë të tij. Në raste të tilla, qumështi duhet t’i referohet fermerit dhe ai duhet këshilluar, derisa produkti të arrijë standardet e kërkuara nga fabrika,” u shpreh Deçolli. Ajo shtoi se, sipas të dhënave të marra, vaji i palmës nuk rezulton të jetë prezent në qumësht, pavarësisht fushatave të krijuara në rrjetet sociale.
Ndërkohë, Ilir Pilku, drejtor ekzekutiv i IPQ, vlerësoi se survejimi duhej të ishte më i gjerë dhe i thelluar, për të përfshirë jo vetëm qumështin, por edhe nënproduktet e tij. “Ndoshta survejimi mund të ishte bërë më i thellë, duke marrë edhe nënprodukte të tjera, si kosin apo djathin, në mënyrë që të kishim të dhëna më të plota për t’i analizuar,” tha Pilku, duke theksuar nevojën për një qasje më gjithëpërfshirëse në analizimin e cilësisë së produkteve të qumështit.
Ndërsa Kapllan Sulaj, Dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit në UBT, ngriti pikëpyetje mbi saktësinë e disa analizave për nivelin e qelizave somatike në qumësht. “Është e pamundur që qumështi i freskët të ketë rreth 20 mijë qeliza somatike, sepse zakonisht këto nivele kalojnë 200 mijë ose deri mbi 700 mijë tek lopët. Gjithashtu, është konstatuar prani e lartë e enterobaktereve, çka tregon se qumështi është mbajtur në kushte të papërshtatshme. Nëse do të ishim përballë këtyre shifrave kaq të ulëta, qumështi duhej të kishte kaluar më parë në një proces termik,” u shpreh Sulaj.https://www.youtube.com/watch?v=P_7mopVzUgA&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fwww.oranews.tv%2F&source_ve_path=MjM4NTE


