Menu

Dita Botërore e Veterinarisë/ AKVMB falënderon 530 mjekët veterinarë në terren

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka postuar në rrjetin social Facebook një mesazh vlerësimi me rastin e Ditës Botërore të Veterinarisë, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm të mjekëve veterinarë në mbrojtjen e shëndetit publik dhe sigurisë ushqimore.

Në mesazhin e publikuar, AKVMB nënvizon se veterinerët, përmes dijes, përkushtimit dhe sakrificës, janë çdo ditë në shërbim të jetës, duke mbrojtur shëndetin e kafshëve dhe duke garantuar cilësinë e produkteve ushqimore që konsumohen nga qytetarët.

Sipas institucionit, mjekët veterinarë nuk njohin orar kur bëhet fjalë për ndërhyrje në terren, duke qenë të pranishëm në çdo situatë për të parandaluar rreziqet dhe për të ruajtur mirëqenien e shoqërisë.

Në fokus të mesazhit është edhe rëndësia e tyre në zinxhirin ushqimor, ku veterineri cilësohet si “rojtari i padukshëm” i shëndetit publik dhe një faktor kyç në mbrojtjen e konsumatorit.

Në përmbyllje, AKVMB shpreh mirënjohje për 530 veterinerët e saj, për punën e palodhur që kryejnë çdo ditë në fermat blegtorale dhe në garantimin e sigurisë ushqimore në vend.

Related Posts