Qeveria ka miratuar rregullat e reja për mënyrën se si do të shqyrtohen ankesat në rastet e fëmijëve që ndodhen në kujdes alternativ familjar. Vendimi parashikon krijimin e një mekanizmi të posaçëm pranë çdo bashkie, me qëllim që vendimet që prekin fëmijët dhe familjet kujdestare të mund të kundërshtohen përmes një procedure të përcaktuar administrative.
Në praktikë, çdo njësi e vetëqeverisjes vendore do të ngrejë një Komision të Shqyrtimit të Ankesave, i përbërë nga 5 anëtarë. Në të do të ketë përfaqësues të shërbimeve sociale, juristë, psikologë apo specialistë të mbrojtjes së fëmijëve dhe ekspertë të fushës sociale.
Vendimi përcakton edhe se kush mund të ankimojë. Të drejtën për të paraqitur ankesë e ka vetë fëmija, përfaqësuesi i tij ligjor, punonjësit socialë, mësuesit, si dhe anëtarët e familjes biologjike apo familjes kujdestare. Ankesa duhet të paraqitet brenda 30 ditëve kalendarike nga momenti kur pala merr dijeni për vendimin.
Ankimet mund të lidhen me vendime të tilla si përzgjedhja e familjes kujdestare, ndërprerja e shërbimit apo masat e marra ndaj familjeve kujdestare.
Një nga elementet kryesore të procedurës së re është dëgjimi i drejtpërdrejtë i fëmijës. Komisioni duhet ta dëgjojë fëmijën gjatë shqyrtimit të çështjes, duke marrë parasysh moshën dhe nivelin e pjekurisë së tij.
“Komisioni ka detyrimin për të dëgjuar fëmijën sipas moshës dhe pjekurisë.”
Kjo procedurë do të zhvillohet duke respektuar parimin e interesit më të lartë të fëmijës dhe procesin e rregullt ligjor. Shërbimet që lidhen me paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesës do të jenë falas.
Pas regjistrimit të ankesës në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ, Komisioni do të ketë 5 ditë për verifikimin paraprak. Nëse ankesa pranohet për shqyrtim, hetimi administrativ dhe vendimmarrja duhet të përfundojnë brenda 15 ditëve kalendarike.
Gjatë kësaj procedure, Komisioni mund të zhvillojë seanca dëgjimore dhe të kërkojë informacion nga institucionet arsimore, shëndetësore, policore dhe organet e drejtësisë. Këto institucione janë të detyruara të vënë në dispozicion informacionin e kërkuar, ndërsa mosdhënia e tij pa një shkak të arsyeshëm mund të çojë në kërkesë për nisjen e procedurave për shkelje ligjore.
Në përfundim të shqyrtimit, Komisioni mund të lërë në fuqi, anulojë, shfuqizojë ose ndryshojë vendimin e ankimuar. Vendimi merret me votim të hapur dhe u njoftohet palëve brenda 3 ditëve nga miratimi.
Nëse palët nuk janë dakord me vendimin e Komisionit, çështja mund të dërgohet në gjykatën administrative. Të drejtën për ta kundërshtuar vendimin e kanë fëmija, prindërit, të afërmit dhe çdo palë që ka interes të ligjshëm.
Strukturat vendore të shërbimeve sociale do të shërbejnë si sekretariat teknik i Komisionit. Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar edhe Shërbimi Social Shtetëror, Agjencia e Mbrojtjes së Fëmijës dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Qendra Alert/Alert.al

