Shkëmbimet tregtare me Turqinë dominohen nga importet, ndërsa qeveria synon të tërheqë më shumë investime të drejtpërdrejta dhe të rrisë praninë e produkteve shqiptare në tregun turk. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, kërkoi më shumë angazhim nga bizneset për ta kthyer bashkëpunimin rajonal në mundësi konkrete zhvillimi.
“Turqia vijon të jetë një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, por marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve mbeten të përqendruara kryesisht te importet”. Në këtë kontekst, ministrja Delina Ibrahimaj kërkoi rritjen e eksporteve shqiptare dhe zgjerimin e investimeve turke në ekonomi, duke theksuar se bashkëpunimi është thelbësor për rritjen e konkurrueshmërisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë Forumit të Biznesit Ballkanik, organizuar në Tiranë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO), Ibrahimaj bëri të ditur se Turqia përbënte 7,3% të volumit të përgjithshëm tregtar të Shqipërisë në vitin 2025.
Sipas ministres, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026, investimet turke në Shqipëri arritën në rreth 111 milionë euro. Megjithatë, ajo nënvizoi se synimi duhet të jetë tërheqja e investimeve të drejtpërdrejta në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, përtej marrëdhënieve tregtare dhe kontratave të shitblerjes.
“Ne do t’i krijojmë kushtet, por duhet që edhe biznesi të jetë më aktiv. Uroj që interesi i kompanive turke në Shqipëri të mos jetë vetëm për të kontraktuar apo për të shitur, por edhe për të investuar”, u shpreh Ibrahimaj.
Forumi mblodhi përfaqësues të bizneseve dhe dhomave të tregtisë nga Shqipëria, Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, me synimin për të krijuar lidhje të reja tregtare dhe për të nxitur investimet në rajon.
Ministrja theksoi se ekonomitë e vogla të Ballkanit Perëndimor mund të tërheqin më shumë investitorë përmes bashkëpunimit dhe shfrytëzimit të avantazheve konkurruese të secilit vend.
Një tjetër prioritet, sipas saj, është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal, që do të ndihmonte në uljen e barrierave, shkurtimin e kohës së të bërit biznes dhe rritjen e konkurrueshmërisë përpara integrimit në tregun e përbashkët evropian.
Ibrahimaj shprehu gjithashtu pritshmërinë që puna e komisionit të përbashkët Shqipëri-Turqi të konkretizohet brenda këtij viti me nisma dhe plane konkrete për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Qendra Alert/Alert.al


