Menu

Çmimet pritet të rriten, inflacioni rëndon më tej buxhetin e familjeve

Tensionet gjeopolitike pritet të sjellin shtrenjtim të mëtejshëm të çmimeve në Shqipëri gjatë 6 muajve të ardhshëm. Banka e Shqipërisë paralajmëron rritje të moderuar të inflacionit, ndërsa familjet vijojnë të shpenzojnë rreth 40% të buxhetit për ushqime.

Çmimet mund të bëhen sërish një barrë më e rëndë për qytetarët shqiptarë. Pas shtrenjtimit të produkteve bazë dhe rritjes së kostos së jetesës, parashikimet e Bankës së Shqipërisë sinjalizojnë presione të reja inflacioniste gjatë muajve të ardhshëm, të nxitura kryesisht nga pasiguritë dhe tensionet gjeopolitike në tregjet ndërkombëtare.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri të ditur se inflacioni pritet të rritet më tej në muajt në vijim, por kjo rritje vlerësohet të jetë e moderuar dhe e përkohshme. Sipas parashikimeve, nga mesi i vitit të ardhshëm inflacioni pritet të nisë një rënie graduale drejt objektivit të bankës qendrore.

Pavarësisht sinjaleve për shtrenjtim të mëtejshëm, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit. Megjithatë, Sejko paralajmëroi se rreziqet në rritje për inflacionin mund të çojnë në një normalizim të politikës monetare në të ardhmen.

Ndërkohë, ekonomia shqiptare vijon të shënojë rritje. Në tremujorin e dytë të vitit, aktiviteti ekonomik u zgjerua me 3.6%, ndërsa kredia për sektorin privat u rrit me 15.4%.

Por, rritja ekonomike nuk e zbeh presionin mbi buxhetet familjare. Inflacioni ka arritur në 3.2%, duke kaluar objektivin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa ushqimet zënë rreth 40% të shpenzimeve të familjeve shqiptare.

Në këto kushte, çdo rritje e mëtejshme e çmimeve të produkteve bazë rrezikon të ulë fuqinë blerëse të qytetarëve, veçanërisht të familjeve me të ardhura të ulëta, për të cilat shpenzimet e përditshme përbëjnë pjesën më të madhe të buxhetit.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts