Qeveria propozon një sërë ndryshimesh në sistemin e taksave për vitin 2027, duke rritur barrën fiskale për bizneset dhe fitimet e shpërndara te ortakët, ndërsa ndryshon fashat e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi. Një tjetër ndërhyrje prek bizneset e vogla, pasi pragu i regjistrimit për TVSH-në propozohet të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Ndryshimet janë pjesë e paketës fiskale për vitin 2027 dhe parashikojnë rritjen e tatimit mbi dividendin, shtimin e normës së tatimit mbi të ardhurat e korporatave, rishikimin e tatimit mbi pagat dhe zgjerimin e numrit të bizneseve që do të hyjnë në skemën e TVSH-së.
Dividendi tatohet me 15%, rritet edhe tatimi mbi fitimin e korporatave
Pas 8 vitesh nga vendosja e normës 8%, qeveria propozon rritjen e tatimit mbi dividendin në 15%. Ndryshimi parashikohet në paketën fiskale të vitit 2027 dhe prek fitimet që bizneset shpërndajnë te aksionarët ose ortakët e tyre. Dividendi është pjesa e fitimit neto që një shoqëri u shpërndan aksionarëve ose ortakëve, në përputhje me pjesëmarrjen e tyre në kapital dhe pas vendimit përkatës të asamblesë së përgjithshme. Paralelisht, propozohet rritja e tatimit mbi të ardhurat e korporatave nga 15% aktualisht në 17%, duke shtuar barrën tatimore mbi fitimin e kompanive.
“Në nenin 41 që ndryshohet”, përcaktohet se norma e tatimit mbi të ardhurat e korporatave do të jetë 17%, ndërsa norma tatimore për dividendët do të jetë 15%, pa zbritur asnjë kosto.
Këto ndryshime rrisin si tatimin mbi fitimin e korporatave, ashtu edhe atë që paguhet kur fitimi shpërndahet te ortakët apo aksionarët.
Ndryshojnë fashat e tatimit mbi pagat, shtohet norma 32%
Paketa fiskale parashikon gjithashtu ndryshimin e fashave të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi. Sipas propozimit, struktura e re do të përfshijë tri nivele tatimore, duke ruajtur normën 13% për të ardhurat deri në 3.24 milionë lekë në vit dhe duke vendosur një fashë të re me normë 32% për të ardhurat mbi 8.04 milionë lekë në vit.
Sipas tabelës së propozuar, normat do të jenë:
* Të ardhura vjetore deri në 3.24 milionë lekë: 13%.
* Të ardhura vjetore nga 3.24 milionë deri në 8.04 milionë lekë: 23%.
* Të ardhura vjetore mbi 8.04 milionë lekë: 32%.
Fasha e re prej 32% do të prekë të ardhurat nga punësimi mbi 670 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, norma 13% do të shtrihet deri në të ardhura vjetore prej 3.24 milionë lekësh, ndërsa për të ardhurat mbi këtë nivel dhe deri në 8.04 milionë lekë do të zbatohet norma 23%. Aktualisht, të ardhurat vjetore nga punësimi deri në 2.04 milionë lekë tatohen me 13%, ndërsa ato mbi këtë prag me 23%. Ndryshimi i propozuar rishpërndan fashat e tatimit, duke ulur normën për një pjesë të pagave të mesme dhe duke vendosur një nivel më të lartë për të ardhurat më të mëdha.
Përjashtohen nga tatimi disa kategori të personave me aftësi të kufizuara
Ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikojnë edhe përjashtime për kategori të caktuara të personave me aftësi të kufizuara.
Sipas dispozitës së propozuar, nga tatimi do të përjashtohen të ardhurat personale të individëve dhe të vetëpunësuarve të vetëm që kanë statusin e personit të verbër, të invalidit paraplegjik ose tetraplegjik, personit me surdomutizëm dhe invalidit të punës.
Përfitimi do të zbatohet për personat që e provojnë statusin përkatës me dokumentacionin e lëshuar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Pragu i TVSH-së ulet në 5 milionë lekë, preken mbi 17 mijë biznese
Një nga ndryshimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë te biznesi i vogël është ulja e pragut të regjistrimit për TVSH-në nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.
Që nga janari i vitit 2021, bizneset me qarkullim deri në 10 milionë lekë në vit kanë qenë të përjashtuara nga TVSH-ja. Ky lehtësim ishte parashikuar të vijonte deri në vitin 2029, por qeveria propozon ta ndryshojë pragun që nga viti i ardhshëm.
Me hyrjen në fuqi të ndryshimit, subjektet me xhiro mbi 5 milionë lekë do të përfshihen në skemën normale të TVSH-së dhe do të kenë detyrimin të zbatojnë rregullat përkatëse të deklarimit dhe pagesës së tatimit.
Në relacionin shoqërues, qeveria argumenton se pragu aktual prej 10 milionë lekësh është më i lartë se kufijtë e regjistrimit që aplikohen në një pjesë të vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Europian.
Sipas relacionit, përfshirja e më shumë subjekteve në skemën e TVSH-së do të mundësojë deklarimin e transaksioneve të shitjeve dhe blerjeve nga palët e përfshira, duke lehtësuar kryqëzimin e informacionit dhe administrimin e tatimit.
Qeveria argumenton gjithashtu se pragu i ri prej 5 milionë lekësh synon të mbajë jashtë skemës bizneset kryesisht familjare dhe të vetëpunësuarit e vetëm me qarkullim më të ulët.
Buxheti parashikon 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë nga TVSH-ja
Sipas përllogaritjeve të paraqitura në relacion, ulja e pragut të regjistrimit për TVSH-në pritet të prekë 17,516 tatimpagues të rinj.
Nga kjo ndërhyrje, buxheti i shtetit parashikon të përfitojë rreth 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë.
Ndryshimi zgjeron numrin e bizneseve që do të jenë pjesë e skemës së TVSH-së, duke shtuar detyrimet e tyre fiskale dhe administrative. Për subjektet e prekura, zbatimi i skemës do të kërkojë faturim dhe deklarim sipas rregullave të TVSH-së, ndërsa ndikimi konkret në kostot dhe çmimet e tyre do të varet nga struktura e shitjeve, blerjeve dhe klientelës.
Me paketën fiskale të vitit 2027, qeveria synon të ndryshojë njëkohësisht tatimin mbi fitimet e bizneseve, të ardhurat nga dividendët, tatimin mbi pagat dhe kufirin e regjistrimit për TVSH-në. Propozimet pritet të përcaktojnë një pjesë të rëndësishme të barrës fiskale për bizneset dhe punonjësit në vitin e ardhshëm.
Qendra Alert/Alert.al


