Menu

ProEksport kundër Paketës Fiskale 2027: Rriten taksat, industria humbet vende pune

Shoqata ProEksport Albania kundërshton rritjen e propozuar të taksave në Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se masat e reja mund të rëndojnë më tej industrinë prodhuese të veshjeve dhe këpucëve, e cila prej vitesh përballet me vështirësi ekonomike dhe humbje të vendeve të punës.

Shoqata kërkon konsultim real me përfaqësuesit e biznesit përpara miratimit të ndryshimeve fiskale, duke vënë në pikëpyetje mungesën e politikave mbështetëse për një sektor që punëson mbi 50 mijë persona.

Sipas ProEksport Albania, rritja e tatimfitimit nga 15% në 17% dhe e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% do të shtojnë barrën fiskale mbi sipërmarrjet. Ndërkohë, lehtësimi i tatimit mbi pagat, sipas shoqatës, nuk adreson nevojat e punonjësve me paga minimale dhe të ulëta, ku përqendrohet një pjesë e konsiderueshme e fuqisë punëtore të sektorit.

Zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe reduktimi i kapaciteteve prodhuese janë disa nga sfidat me të cilat përballet industria. Në këto kushte, shoqata vlerëson se nevojiten politika që nxisin investimet, automatizimin, digjitalizimin dhe kalimin drejt prodhimit me vlerë më të shtuar, në vend të rritjes së barrës fiskale.

ProEksport Albania i bën thirrje institucioneve të hapin menjëherë tryezat teknike të konsultimit dhe të analizojnë ndikimin e ndryshimeve të propozuara mbi prodhimin, eksportet dhe punësimin.

“Një sektor që prej kohësh ndodhet në vështirësi serioze ekonomike nuk ka nevojë për rëndim të mëtejshëm të situatës, por për politika që garantojnë mbijetesën, transformimin dhe konkurrueshmërinë e tij” thekson shoqata.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts