Menu

Pa datë skadence në etiketë, Dogana bllokon 2.1 tonë ushqime dhe lodra për fëmijë

Mbi 2.1 tonë produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë janë bllokuar nga autoritetet doganore në Tiranë, pasi gjatë kontrolleve u konstatuan shkelje në etiketimin e tyre. Bëhet fjalë për një ngarkesë prej 156 mijë njësish mallrash të ambalazhuara, të cilat nuk përmbushnin kërkesat ligjore për informacionin që duhet t’i vihet në dispozicion konsumatorit.

Sipas njoftimit të Administratës Doganore, parregullsia kryesore e evidentuar gjatë kontrollit fizik ishte mungesa e datës së jetëgjatësisë minimale ose e afatit të përdorimit në etiketat e produkteve përfundimtare.

Kontrolli u krye nga Dega Doganore Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në kuadër të verifikimeve të bazuara në analizën e riskut.

Mungesa e këtij informacioni përbën shkelje të kërkesave të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 434, datë 11 korrik 2018, “Për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit”.

Për shkak të parregullsive të konstatuara, autoritetet kanë vendosur bllokimin e të gjithë ngarkesës dhe mosçlirimin e mallrave, deri në përfundimin e verifikimeve dhe procedurave ligjore.

Ndërkohë, strukturat përgjegjëse janë angazhuar për shqyrtimin e mëtejshëm të rastit dhe përcaktimin e masave që parashikon legjislacioni.

Administrata Doganore deklaron se do të vijojë kontrollet ndaj mallrave të importuara, me synimin për të parandaluar hyrjen në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet dhe detyrimet ligjore për informimin dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts