Bujqësia mbetet një nga sektorët me mbështetjen më të ulët në buxhetin e vitit 2027. Pavarësisht rëndësisë së saj në ekonomi dhe punësimin në vend, qeveria parashikon t’i japë sektorit të prodhimit vetëm 2.19% të të ardhurave të përgjithshme buxhetore, ndërsa rritja e financimit nuk përkthehet në më shumë mbështetje për fermerët.
Sipas projektbuxhetit të Ministrisë së Financave, të ardhurat e përgjithshme për vitin 2027 parashikohen në 907.9 miliardë lekë. Nga kjo shumë, për sektorin e prodhimit janë planifikuar 19.9 miliardë lekë, ose 1.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me një vit më parë.
Por, ku do të shkojnë këto para shtesë? Financimi i ri nuk do të përkthehet në rritje të subvencioneve për fermerët dhe as në investime të konsiderueshme për ngritjen e kapaciteteve të reja laboratorike. Pjesa më e madhe e rritjes shpërndahet në zëra të tjerë, si administrata, këshillimi bujqësor dhe infrastruktura e kanaleve kulluese.
Në vend që mbështetja për fermerët të forcohet, fondi i subvencioneve parashikohet të pësojë një tjetër tkurrje. Nga 8.3 miliardë lekë që ishte, ai zbret në 6.3 miliardë lekë për vitin 2027. Një rënie e ndjeshme regjistrohet edhe në financimin e peshkimit. Nëse deri një vit më parë ky sektor përfitonte 7.8 miliardë lekë, në projektbuxhetin e ri mbështetja parashikohet të jetë vetëm 3.4 miliardë lekë, më pak se gjysma e fondit të mëparshëm.
Nga ana tjetër, rritje prej 18.7% parashikohet për infrastrukturën dhe ujitjen. Megjithatë, një nga rekomandimet kryesore të Komisionit Europian në progres-raportin për Shqipërinë lidhej me nevojën për më shumë investime në sigurinë ushqimore dhe forcimin e kapaciteteve laboratorike.
Kjo kërkesë nuk duket se është reflektuar në mënyrë domethënëse në projektbuxhet. Financimi për sigurinë ushqimore parashikohet të rritet me vetëm 2.55%, ndërsa rritje regjistrohet edhe në zërat për administratën dhe këshillimin bujqësor. Kështu, pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit për mangësitë në kontrollin dhe sigurinë e produkteve ushqimore, investimet në këtë drejtim mbeten të kufizuara.
Mbështetja e pamjaftueshme financiare vjen në një moment kur bujqësia po humbet gradualisht peshën e saj në ekonominë shqiptare. Të dhënat ekonomike tregojnë se kontributi i sektorit në Prodhimin e Brendshëm Bruto ka zbritur nga 15.3% në vitin 2024 në 14.6% në vitin 2025.
Përtej shifrave të projektbuxhetit, kjo tendencë ngre pikëpyetje mbi politikat që po ndiqen për zhvillimin e bujqësisë. Bllokimi i fondeve IPARD dhe tkurrja e subvencioneve kufizojnë më tej mundësitë e mbështetjes për fermerët, në një sektor që ka nevojë për investime, teknologji dhe mekanizma konkretë nxitës. Rritja e buxhetit në letër nuk mjafton nëse ajo nuk përkthehet në mbështetje reale për njerëzit që punojnë tokën.
Qendra Alert/Alert.al


