Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri kundërshton disa nga ndryshimet fiskale të propozuara për vitin 2027, duke paralajmëruar se shtimi i barrës tatimore dhe mungesa e konsultimit me sipërmarrjen mund të rrisin kostot e kompanive dhe të dëmtojnë klimën e investimeve.
Në një reagim publik, përfaqësuesit e biznesit gjerman kanë kritikuar veçanërisht mënyrën se si është hartuar paketa, duke theksuar se kompanitë nuk janë përfshirë në konsultime paraprake dhe nuk kanë pasur mundësi të njihen në kohë me propozimet për ndryshimet ligjore.
Sipas shoqatës, mungesa e transparencës dhe konsultimit krijon pasiguri për sipërmarrjet, ndërsa parashikueshmëria e politikave fiskale mbetet një element thelbësor për vendimmarrjen e investitorëve vendas dhe të huaj.
Edhe pse DIHA vlerëson disa prej lehtësive të propozuara, si ulja e TVSH-së për produktet bazë ushqimore dhe reduktimi i tatimit mbi të ardhurat për shtresën e mesme, shqetësimi kryesor lidhet me mënyrën se si do të financohen këto masa.
Përfaqësuesit e shoqatës paralajmërojnë se rritjet e parashikuara të taksave, të marra së bashku, mund të kufizojnë fondet që kompanitë kanë në dispozicion për riinvestime, modernizim dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Për këtë arsye, DIHA i bën thirrje qeverisë dhe Kuvendit të rishikojnë masat e propozuara, të zhvillojnë konsultime të mirëfillta me komunitetin e biznesit dhe të parashikojnë një periudhë tranzitore për zbatimin e ndryshimeve.
“DIHA shpreh keqardhjen që komuniteti i biznesit nuk u përfshi në procesin e hartimit të paketës. Projektligjet nuk u publikuan për konsultim publik, ndërsa tekstet përfundimtare iu paraqitën Këshillit Tatimor vetëm pak kohë përpara dorëzimit në Parlament. Një kuadër tatimor i parashikueshëm mbetet një nga faktorët kryesorë që investitorët gjermanë dhe të huaj marrin në konsideratë kur vendosin se ku të investojnë. Të marra së bashku, këto rritje mund të kufizojnë burimet financiare që kompanitë kanë në dispozicion për riinvestime, modernizim dhe krijimin e vendeve të reja të punës” deklaron Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë.
Qendra Alert/Alert.al


