Çmimet marrin sërish hov, duke rënduar faturën e jetesës për qytetarët. Pas një frenimi të përkohshëm në shtator, inflacioni në Shqipëri u rikthye në 3.4% në tetor, duke u larguar sërish nga objektivi prej 3% i Bankës së Shqipërisë. Rritja u diktua kryesisht nga ushqimet dhe transporti, ndërsa shtrenjtimi i energjisë dhe karburanteve vijon të ushtrojë presion mbi çmimet.
Sipas të dhënave të INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në tetor 2026 shënoi një rritje vjetore prej 3.4%, nga 2.3% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Krahasuar me shtatorin, çmimet e konsumit u rritën me 0.5%, duke treguar një përshpejtim edhe në baza mujore.
Ecuria e inflacionit gjatë muajve të fundit ka qenë e luhatshme. Që prej majit, norma e inflacionit arriti dhe kaloi objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë, duke kulmuar në 3.4% në korrik. Në gusht qëndroi në 3.2%, ndërsa në shtator zbriti në 2.9%. Por kjo ulje rezultoi jetëshkurtër, pasi në tetor inflacioni u rikthye në nivelin më të lartë të regjistruar gjatë verës.
Kontributin kryesor në rritjen e çmimeve e dha grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me 1.36 pikë përqindje. Pas tij renditet grupi “Transporti”, me 0.73 pikë përqindje, duke reflektuar ndikimin e shtrenjtimit të karburanteve.
Presion mbi inflacionin kanë ushtruar edhe shpenzimet për banesën. Grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” kontribuoi me 0.56 pikë përqindje në rritjen vjetore të çmimeve. Ndërkohë, kontribute më të vogla pozitive dhanë mobilimi dhe mirëmbajtja e shtëpisë, argëtimi dhe kultura, pijet alkoolike dhe duhani, restorantet dhe akomodimi, si dhe shërbimet e tjera. Në kahun e kundërt ndikuan veshjet dhe këpucët, me minus 0.10 pikë përqindje, si dhe informacioni dhe komunikimi, me minus 0.04 pikë përqindje.
Pavarësisht rikthimit të inflacionit në 3.4%, Banka e Shqipërisë ka vendosur të mos ndryshojë normën bazë të interesit, duke e mbajtur atë në 2.5%. Norma ka mbetur e pandryshuar që prej korrikut 2025, kur u ul me 0.25 pikë përqindje.
Guvernatori Gent Sejko ka paralajmëruar se presionet inflacioniste nga jashtë janë forcuar gjatë muajve të fundit, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe burimeve të tjera të energjisë. Këto zhvillime kanë ndikuar jo vetëm në çmimet ndërkombëtare, por edhe në faturën e importeve të partnerëve tregtarë të Shqipërisë.
Sipas Sejkos, rritja e çmimeve të karburanteve dhe e disa produkteve ushqimore të papërpunuara ndikoi në rritjen e inflacionit në tremujorin e tretë në 3.2%, nga 3% në tremujorin e dytë. Në të kundërt, ngadalësimi i inflacionit të qirave ndihmoi në frenimin e rritjes së çmimeve, duke e ulur normën nga 3.4% në korrik në 2.9% në shtator.
Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet e importuara mbi çmimet po shtohen, ndërsa ato të brendshme po zbuten. Mbiçmimi i Lekut ka amortizuar pjesërisht efektin e shtrenjtimit të produkteve në tregjet ndërkombëtare, ndërsa ngadalësimi i qirave ka kontribuuar në uljen e inflacionit bazë.
Qendra Alert/Alert.al


