Supermarketet e rrjetit Coop kanë njoftuar tërheqjen nga tregu të dy serive të birrës Lager të markës Castello, pas konstatimit të një problemi me paketimin fizik të produktit.
Sipas njoftimit të publikuar nga kompania, tërheqja prek birrën Lager që tregtohet në pako me nga tri shishe. Seritë e identifikuara janë ato me numrat e lotit PL1596 dhe PL2116.
Megjithatë, Coop nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e problemit të konstatuar në paketim, duke mos specifikuar nëse ai mund të ketë ndikuar në sigurinë apo cilësinë e vetë produktit.
Birra e tërhequr është prodhuar nga kompania Birra Castello Spa, në fabrikën e saj në viale Vittorio Veneto 78, në Pedavena, në provincën e Bellunos.
Si masë paraprake, kompania u rekomandon konsumatorëve që të mos konsumojnë shishet që u përkasin dy serive të identifikuara. Personat që e kanë blerë këtë produkt mund ta kthejnë atë në pikën ku e kanë blerë.
Coop sqaron se tërheqja nuk përfshin të gjithë rrjetin e supermarketeve, por prek vetëm disa pika shitjeje të zinxhirit. (IlFattoAlimentare)
Qendra Alert/Alert.al


