Tregtia e jashtme e Shqipërisë po përballet me një hendek gjithnjë e më të madh mes importeve dhe eksporteve. Në muajin tetor, eksportet u rritën me vetëm 1.5% krahasuar me një vit më parë, ndërsa importet shënuan një rritje shumë më të fortë, prej 9.8%. Kjo diferencë e çoi deficitin tregtar në 55.9 miliardë lekë, me një zgjerim prej 15.1% në bazë vjetore.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë tetorit Shqipëria eksportoi mallra me vlerë 31.6 miliardë lekë, ndërsa importet arritën në 87.5 miliardë lekë. Krahasuar me muajin shtator, deficiti tregtar u zgjerua edhe me 18%, duke reflektuar diferencën mes ritmit të dobët të eksporteve dhe rritjes së importeve.
Në ecurinë e eksporteve kanë ndikuar pozitivisht mineralet, lëndët djegëse, energjia elektrike dhe makineritë, por kjo rritje është frenuar nga rënia e materialeve të ndërtimit, metaleve, tekstileve dhe këpucëve. Ndërkohë, rritja e importeve është nxitur kryesisht nga mineralet, lëndët djegëse, makineritë dhe pajisjet.
Bashkimi Europian vijon të jetë partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, duke përthithur 71.2% të eksporteve dhe duke furnizuar vendin me 45.2% të importeve. Shifrat e tetorit evidentojnë një problem të vazhdueshëm të ekonomisë shqiptare: varësinë nga mallrat e huaja dhe vështirësinë për të rritur eksportet në të njëjtin ritëm me importet.
Qendra Alert/Alert.al


